Krasniqi e Abdixhiku e refuzuan, Osmani: Ndjej keqardhje, zyra ime do të jetë e hapur për të gjithë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur keqardhje për refuzimin e ftesës nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për t’u takuar më të pas propozimit të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për një gjë të tillë.
“Presidentja ka shprehur keqardhje që partitë e tjera opozitare kanë refuzuar mundësinë që ta japin kontributin e tyre për çështje të interesit nacional, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e aleancave strategjike e ekzistenciale të Republikës së Kosovës me partnerët, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidencës.
Aty potencohet se Osmani “në përputhje me Kushtetutën do të vazhdojë të angazhohet në përfaqësimin e unitetit qytetar, mbrojtjen e kushtetutës, ruajtjen dhe fuqizimin e aleancave strategjike, sikurse edhe krijimin e një klime konstruktive për t’i adresuar sfidat dhe çështjet e rëndësishme në Republikën e Kosovës”.
Krasniqi dhe Abdixhiku e refuzuan, mirëpo ai që kërkoi për t’u takuar, Ramush Haradinaj, shkoi në zyrën e Osmanit.
Nga presidenca thonë se me kreun e AAK-së e para e vendit “ka këmbyer pikëpamjet në raport me zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend”.
Sipas Presidentes Osmani, kontributi i secilit lider dhe subjekti politik “është të bashkëpunojë për çështje të rëndësisë nacionale me institucionet shtetërore, por jo duke refuzuar”.
“Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani ka bërë të ditur se dera e zyrës së saj vazhdon të jetë e hapur për liderë institucionalë dhe parti politike, në funksion të mbrojtjes së interesit shtetëror”.
Po ashtu, bëhet me dije se në mëngjesin e së enjtes ajo është takuar me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, “me të cilin ka biseduar për koordinimin e vazhdueshëm ndërinstitucional”.
Ndryshe, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se të njëjtës i ka kërkuar që të kthejë besimin me aleatët e Kosovës, pas kritikave dhe masave të tyre ndaj Kosovës, e cila ka refuzuar që t’i zbatojë kërkesat e tyre për shtensionimin e situatës në Veri, pas tensioneve të krijuara atje.
“I kërkova presidentes që të veprojë në përputhjen me mandatin që ka, me kompetencat që i ka, që ta kthejmë besimin me aleatët tonë që të ndalen ndëshkimet, të ndodh një deesakalim i situatës, t’i kthemi të marrëveshjeve që i kemi, pra të Brukselit dhe Ohrit”, tha Haradinaj.
Po ashtu, ai tregoi se me Osmanin “i kemi trajtuar të gjitha shqetësimet që i kemi në vend”.
“Shpresoj që nga kjo bisedë e sotme të ndihmohet që të dilet nga kjo situatë”.
“Biseda ishte e hapur, i shpreha shqetësimet e mia për situatën, shqetësimet për humbjen e besimit nga parterët tonë, për ndëshkimet që po merr Kosova, për vështirësitë që po i kemi, dhe të cilat do të jenë të vazhdueshme nëse nuk dalim nga kjo rrugë”, potencoi Haradinaj.
Kreu i AAK-së theksoi se koordinimi me aleatët perëndimor është i nevojshëm, pasi që pohoi se “fitoret e Kosovës janë të pamundura pa aleatët tonë, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa Bashkimin Evropian”.
Ndryshe, për të marrë pjesë në këtë takim kanë qenë të ftuar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, mirëpo të dytë e kanë refuzuar ftesën e Osmanit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka bërë të ditur se ka refuzuar kërkesën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, për një takim me partitë opozitare, pas propozimit të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për një gjë të tillë.
Sipas Krasniqit arsyeja kryesore e refuzimit të kësaj kërkese për takim është qasja e presidentes Osmani, e cila, për Krasniqin, me indinjatë po qëndron e heshtur dhe po neglizhon obligimet e saja kushtetuese për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtar dhe për të vepruar si institucion mbi palët.
“Prandaj, duke u nisur nga këto, por edhe arsye të tjera që i kam shtjelluar në letrën e përgjigjes sime, e kam parë të udhës që ta refuzoj pjesëmarrjen në këtë takim”.
Krasniqi ka potencuar se është i gatshëm të takohet me Osmanin vetëm në rast se vendoset për caktim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Pas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqit, ftesën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, për një takim konsultativë me partitë opozitare në lidhje me zhvillimet e fundit në Veri të vendit, e ka refuzuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Përmes një letre të dërguar presidentes Osmani, Abdixhiku, ka argumentuar se pse ka vendosur të refuzoj një kërkesë të tillë, pasi sipas tij LDK-ja nuk mund të pranojë e as tolerojë një përplasje të Kosovës me aleatët e saj.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me shumë shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend; në veçanti qasjen e papërgjegjshme të Kryeministrit të Kosovës në raport me aleatët tanë, SHBA, BE e NATO. Qasja e tij konfliktuoze, veprimet e pakoordinuara dhe papërgjegjësia diplomatike e strategjike, kanë rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës”.
“LDK-ja nuk mund të jetë pjesë e asnjë diskutimi mbi këtë çështje. Sepse kjo çështje, për LDK-në dhe vetë popullin e Kosovës, është e mbyllur para se të nis”, ka shkruar Abdixhiku në letrën e dërguar presidentes Osmani.
Abdixhiku ndër të tjera ka thënë se partia të cilën ai e drejton pret pozicionim të qartë dhe kritik të presidentes Osmani ndaj qëndrimeve të kryeministrit Kurti.
“Fatkeqësisht, ne nuk e kemi parë ende këtë pozicionim nga ana juaj; dhe në rrethanat e tanishme Kosovës i duhet jo një zë i mesit, por një zë i qartë, që dërgon vetëm në një drejtim; atë euro-atlantik, në koordinim të ngushtë me aleatët tanë, në ballafaqim të suksesshëm me qëllimet agresive të Serbisë”.
Sipas Abdixhikut, takimi i tij me Osmanin mund të ndodh në një rast tjetër, kur për qëllimi i vetëm është artikulimi i qartë dhe publik i përkrahjes parazervë ndaj aspiratës euroatlantike të institucioneve dhe refuzimi i politikave përplasëse e i izoluese të Qeverisë.
Haradinaj pas takimit me Osmanin: Kërkova që të kthehet besimi te aleatët
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Dy sisteme Patriot do ta shpëtonin Kharkivin nga pushtimi, thotë Zelensky
-
Letra e plotë e Gjermanisë, Italisë dhe Francës për Kurtin
-
Felaj, thirrje për rikthim të hetimeve ndaj Strukturave për Mbrojtjen e Votës në PD
-
Maliqi: Vuçiçi e arriti synimin që Kosova të shihet si palë joserioze nga ndërkombëtarët – pa pasur nevojë të bëjë asgjë
Lajmet kryesore
-
Ekskluzive: Letra e Francës, Gjermanisë dhe Italisë për Kurtin: Hapat që ndërmore s’mjaftojnë, duhet dërgim në Kushtetuese i draftit të BE-së
-
Kushtetuesja do të shqyrtojë sërish mandatin e Xhaçkës
-
Çfarë është gati të paguajë Xi Jinping për luftën e Putinit?
-
Gjermania, Franca dhe Italia ia refuzojnë Kurtit idenë e propozimit të një drafti për Asociacionin