Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, Edita Tahiri ka thënë se Shqipëria duhet të jetë lider në Ballkan sepse e konsideron faktor të paqes në Ballkan.
“Nëse dikush duhet me qenë lider në Ballkan, duhet të jetë Shqipëria, sepse është e vetmja në Ballkan që ka qenë faktor paqeje e stabiliteti në kohët e krizave dhe luftërave”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Sipas saj, “një gjenocidbërëse si Serbia nuk mund të bëhet liderë e rajonit”.
Më 13 nëntor, po ashtu Tahiri kishte thënë se, “në Ballkan nuk mund të ketë paqe përderisa mohohet gjenocidi dhe ka glorifikime të kriminelëve të luftës”.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë qëndrimit në Prishtinë, është takuar edhe me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.
Këtë e bëri të ditur Meta përmes një postimi në rrjetin social në të cilin u shpreh se Shqipëria mbështet plotësisht procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Kënaqësi të takoja në Prishtinë, Përfaqësuesin e Bashkimit Europian, për dialogun Kosovë – Serbi, z.Miroslav Lajçak. Shqipëria mbështet plotësisht procesin e dialogut Kosovë – Serbi”, ka shkruar Meta në Twitter.
Ai ka thënë se është koha për arritjen e një marrëveshjeje për njohje reciproke.
“Duke vlerësuar se tashmë është koha për arritjen e një marrëveshjeje për njohje reciproke të të dy vendeve. Së bashku vlerësuam rëndësinë e madhe të Procesit të Berlinit dhe gjithë iniciativave të tjera gjithëpërfshirëse për integrimin rajonal dhe europian të vendeve tona”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com