Lajme

Tahiri: A mund të ketë paqe në Ballkan me këtë qasje të Serbisë?


Ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, Edita Tahiri

Ish kryenegociatorja e Kosovës në dialog me Serbinë, Edita Tahiri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka pyetur se si mund të ketë paqe në Ballkanin Perëndimor me një qasje të tillë të Serbisë.

“Mohimi i gjenocideve dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës – a mund të ketë paqe në Ballkanin Perëndimor me një qasje të tillë të Serbisë zyrtare?”, ka shkruar Tahiri.

Sipas Tahirit në Ballkan nuk mund të ketë paqe përderisa mohohet gjenocidi dhe ka glorifikime të kriminelëve të luftës.

Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja për Dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel.

Ky reagim i Tahirit vjen pas muralit të Mlladiçit i cili është shfaqur më 23 korrik në komunën e Vraçarit, afër qendrës së qytetit.

“Gjeneral, nëna juaj duhet të falënderohet”, shkruhet në slogan.

Por, më 11 nëntor, një fotografi ka qarkulluar në mediet serbe dhe rrjete sociale ku një mural tjetër i kriminelit të luftës është bërë në Komunën e Zveçanit në Republikën e Kosovës.

Më 8 nëntor, Tahiri, i ka quajtur “provokime” dhe “shkelje të Marrëveshjes së Brukselit” deklarimet e Presidentit të Serbisë, se po planifikohet një operacion i mundshëm nga Qeveria e Kosovës për të marrur në kontroll nënstacionin të Vallaçit.

Mural i Ratko Mlladiç në Zveçan

“Provokimet e (Aleksandër) Vuçiçit të Serbisë për nënstacionin e Vallacit nuk janë vetëm shkelje e marrëveshjes së Brukselit për energjinë”, ka shkruar Tahiri.

Por edhe më tej, thotë ish-kryenegociatorja, ato janë edhe “pjesë e skenareve të rrezikshme për krijimin e Serbisë së Madhe”,

Ndërkaq, qëllimin përfundimtar Vuçiçi, sipas Tahirit, e ka “ndarjen” e Kosovës, sepse, siç beson ajo, njëjtë po vepron “edhe në Bosnje dhe Hercegovinë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore