Shqipëria

Meta: Shqipëria mbështet plotësisht procesin e dialogut Kosovë-Serbi


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi Miroslav Lajçak..

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë qëndrimit në Prishtinë, është takuar edhe me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.

Këtë e bëri të ditur Meta përmes një postimi në rrjetin social në të cilin u shpreh se Shqipëria mbështet plotësisht procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Kënaqësi të takoja në Prishtinë, Përfaqësuesin e Bashkimit Europian, për dialogun Kosovë – Serbi, z.Miroslav Lajçak. Shqipëria mbështet plotësisht procesin e dialogut Kosovë – Serbi”, ka shkruar Meta në Twitter.

Ai ka thënë se është koha për arritjen e një marrëveshjeje për njohje reciproke.

“Duke vlerësuar se tashmë është koha për arritjen e një marrëveshjeje për njohje reciproke të të dy vendeve. Së bashku vlerësuam rëndësinë e madhe të Procesit të Berlinit dhe gjithë iniciativave të tjera gjithëpërfshirëse për integrimin rajonal dhe europian të vendeve tona”.

Më 25 nëntor edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Në këtë takim mes Metës dhe Kurtit është diskutuar lidhur me dialogun Kosovë- Serbi.

Kryeministri Kurti deklaroi se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të mbetet në fund, por ajo duhet të jetë në qendër të procesit.

“Lidhur me dialogun, kryeministri theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të mbetet në fund, por ajo duhet të jetë në qendër të procesit”, është thënë në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Edhe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit me homologun e saj nga Shqipëria, Ilir Meta, ka thënë se është kundër çfarëdo iniciative e cila përpiqet ta trajtojë në mënyrë jo të barabartë Kosovën, duke iu referuar iniciativës rajonale “Open Balkan”.

Ndryshe, gjatë kësaj vizite Meta ka takuar edhe krerët e partive politike në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore