Lajme

81 organizata të shoqërisë civile në Kosovë i shkruajnë Macronit për liberalizim të vizave


Presidentit i Francës, Emmanuel Macron.

81 organizata të shoqërisë civile në Kosovë, i janë drejtuar presidentit të Francës, Emmanuel Macron të hënën e 9 majit lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Përmes një komunikate për media, thuhet se procesi i liberalizimit është ndalur në Këshillin e Bashkimit Evropian si institucioni më i lartë i BE-së dhe i fundit i cili duhet ta aprovojë propozimin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën.

“Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon dhe ndër të vetmit në Evropë qytetarët e të cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen”, thuhet në njoftimin për media nga organizatat e shoqërisë civile.

Kërkesë kryesore nga shoqëria civile është që në prag të Konferencës për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në qershor në Paris, të e fusin në agjendë dhe të aprovojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Tutje, është rikujtuar që dialogu për liberalizimin e vizave për Kosovën ka hyrë në vitin e 10-të të tij dhe ka zgjatur më shumë sesa procesi i liberalizimit të vizave i të gjitha vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Evropian.

Ndër të tjera në këtë letër organizatat e shoqërisë civile rikujtojnë që dialogu për liberalizimin e vizave për Kosovën ka hyrë në vitin e 10-të të tij dhe ka zgjatur më shumë sesa procesi i liberalizimit të vizave i të gjitha vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Duke e vlerësuar lëvizjen e lirë si të drejtë themelore të njeriut nga mungesa e të cilës më së shumti vuajnë qytetarët e zakonshëm, përmes kësaj letre, organizatat e shoqërisë civile të Kosovës, i bëjnë thirrje Presidentit Macron që gjatë Presidencës Franceze të BE-së ta çojë zgjerimin evropian në një epokë të re”.

“Duke i dhënë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës dhe duke hapur bisedimet e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si një moment ringjallje për perspektivën e rajonit drejt BE-së”, thuhet në letrën e tyre.

Ndryshe, e hëna e 9 majit është ditë feste në Kosovë, me këtë rast shënohet Dita e Evropës dhe kjo ditë ka vite që është futur në kalendarin zyrtar të festave.

Mirëpo, 26 prej 27 vendeve të BE-së, e shënojnë këtë ditë me aktivitete të ndryshme, por e kanë ditë pune.

Nga vendet e BE-së, i vetmi që këtë ditë e ka festë kombëtare është Luksemburgu.

Prej dy vitesh, ky vend e ka futur në kalendarin e festave 9 Majin.

Ndërsa edhe Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk mund të lëvizë lirshëm.

Dita e Evropës e shënon deklaratën historike më 1950 të ministrit të Jashtëm francez, Robert Schuman, mbi shpalosjen e idesë së një forme të re të bashkëpunimit politik në Evropë, në atë që konsiderohet si fillimi i Bashkimit Evropian të së sotmes.

Për shënimin e kësaj dite, në Kosovë do të mbahen një sërë aktivitetesh të organizuara nga Zyra e BE-së në Prishtinë, me fokus te të rinjtë, energjia e gjelbër dhe digjitalizimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore