Përballje

76ers shumë afër kalimit në rundin e dytë


Ndeshja mes Washington Wizards dhe Philadelphia 76ers përfundoi me fitoren e këtyre të fundit, me rezultat dominues 103:132.

76ers tani më kanë arritur tre fitore në rundin e parë të playoff, dhe Wizards nuk kanë fituar asnjë ndeshje.

Philadelphia ka një epërsi prej 3:0 në serinë përballë Wizards.

Ndeshja ishte e dominuar nga 76ers që nga fillimi, ku në fund të pjesës së parë ata kishin një epërsi prej 14 pikësh.

Embiid ishte fantastik dhe mbaroi ndeshjen me 36 pikë, ku 25 i shënoi vetëm në pjesën e parë.

Westbrook dhe Beal u kombinuan për 51 pikë, por, nuk ishte e mjaftueshme për të mposhtur Philadelphian.

Më të mirët te 76ers ishin Joel Embiid me 36 pikë e 8 kërcime dhe Tobias Harris me 20 pikë e 13 kërcime.

Ndërsa te Wizards, më të dalluarit ishin Bradley Beal me 25 pikë dhe Russell Westbrook, i cili arriti dyshifrorë të trefishtë me 26 pikë, 12 kërcime e 10 asistime.

Në anën tjetër, ndeshja mes Memphis Grizzlies dhe Utah Jazz ishte më interesante dhe përfundoi me fitoren e Jazz me rezultat 111:121.

Pjesa e parë ishte e dominuar nga Utah Jazz, por, në çerekun e tretë Memphis arritën të ngushtojnë rezultatin, por jo të fitojnë duelin.

Jazz kishin humbur ndeshjen e parë, por, kanë fituar dy ndeshjet e radhëz dhe udhëheqin serinë me rezultat 2:1.

Kthimi i Donovan Mitchell ishte ndihmë e madhe për Jazz, pasi ai po performon shkëlqyeshëm.

Më të dalluarit te Jazz ishin Donovan Mitchell me 29 pikë, Mike Conley me 27 pikë e 8 asistime he Rudy Gobert me 15 pikë e 14 kërcime.

Ndërsa te Grizzlies, më të mirët ishin Ja Morant me 28 pikë e 7 asistime dhe Dillon Brooks me 27 pikë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore