Lajme

4 parimet mbi të cilat spektri politik në Kosovë duhet të udhëhiqet në procesin e dialogut  


Kosova, gjegjësisht Qeveria e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjendet në një udhëkryq vendimtar, kur në pyetje është procesi i dialogut.

Ekzekutivi kosovar ka para vetes Marrëveshjen për normalizimin e raporteve, produkti i propozimit franko-gjerman, mbi të cilën duhet të pozicionohet përfundimisht.

Kështu të paktën thotë burimi ndërkombëtar, një figurë e lartë e Departamentit të shtetit Amerikan, për  Albanian Post, i cili pret që rreshtimi i Qeverisë të mos jetë vetëm deklarativ, por edhe në harmonizim të plotë me vizionin strategjik të Perëndimit.

Në këtë udhëkryq vendimtar, shton më tej burimi ndërkombëtar i Albanian Post, spektri politik në Kosovë duhet të udhëhiqet nga disa parime të qarta.

Fillimisht Qeveria e Kosovës, thotë burimi, duhet t’ia rikujtojë vetes që komuniteti perëndimor është bashkëthemelues i shtetit të Kosovës, që do të thotë që, në momentet vendimtare të procesit, mendimi i komunitetit perëndimor vërtet duhet të ketë një lloj vlere thelbësore.

Thënë ndryshe kërkesa e tij është rrjedhojë e ngurtësisë dhe mos-konstruktivitetit të kryeministrit Kurti, në çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe sidomos qëndrimit të tij të fundit në Kuvendin e Kosovës, ku thoshte se ai nuk është nën petkun e një ndërkombëtari në procesin e dialogut, por përfaqëson interesat e popullit të Kosovës.

Pala kosovare, shpjegon më tej kjo figurë e lartë e Departamentit të shtetit, nuk duhet të hyjë në kalkulime e të ulet në tavolinën e bisedimeve me supozimin që pala tjetër do të refuzojë marrëveshjen, por të jetë i gatshëm dhe i sinqertë për kompromise.

Shefi i Qeverisë, në takimin e nivelit të lartë në Bruksel më 27 shkurt pas negociatave disa orësh me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, deklaroi se pala kosovare ishte e gatshme ta nënshkruaj propozimin franko-gjerman, i mishëruar tashmë në një Marrëveshje, por që pala Serbe refuzoi ta bëjë të njëjtën gjë.

Ky gatishmëri, ndonëse pozitiv, i kryeministrit në qarqet ndërkombëtare është parë paksa me skepticizëm, kjo pasi që në këtë fazë Marrëveshja nuk parasheh njohjen eksplicite të Kosovës nga Serbia, por Kosova zotohet që përveç themelimit të Asociacionit ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe.

Prandaj duke u nisur nga kjo premisë, burimi thotë se pala kosovare duhet shfaq konstruktivitet dhe gatishmëri të sinqertë për kompromise dhe jo shpresa që pala tjetër do të refuzojë marrëveshjen.

Parimi tjetër mbi të cilin Kosova duhet të navigojë në këtë fazë mjaft delikate për të ardhmen e saj si shtet është të mos hyjë në lojën e taktizimeve e deklarimeve të panevojshme publike, por të angazhohet seriozisht në përmbushjen e pritshmërive konkrete, tashmë të detajuara, të komunitetit ndërkombëtar rreth themelimit të Asociacionit.

Përveç krerëve institucional, burimi i Albanian Post, ka një kërkesë edhe për partitë opozitare në Kosovë, të cilët shfaqen haptazi kundërshtinë e tyre dhe rezervat për propozimin franko-gjerman me arsyetimin se i njëjti nuk përmban njohjen reciproke në qendër, por kërkon nga Kosova koncesione siç është ajo për Asociacionin e Kishën Ortodokse Serbe.

Opozita, thotë fillimisht burimi, e ka të gjithë të drejtën e botës të kritikojë Qeverinë në procesin e dialogut, por sipas tij në këtë fazë interesat strategjike të Kosovës janë mbi të gjitha.

“Fryma e përgjithshme e veprimit opozitar nuk duhet të rrezikojë interesat strategjike të Kosovës. Çfarëdo që komuniteti perëndimor pret nga Qeveria e z. Kurti, po e njëjta vlen edhe për opozitën aktuale”.

Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vetëdijshme për peshën e vërtetë dhe seriozitetin e momentin historik në të cilin po kalon Kosova, jo vetëm në raport me procesin e normalizimit dhe dialogun me Serbinë, por duhet të jetë e kujdesshme maksimalisht edhe mbi rrjedhën e mëtejme të raporteve në mes të Qeverisë së Kosovës dhe shteteve kryesore perëndimore, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore