Shqipëria

32 urdhërarrestet e lëshuara, Çuçi përshëndet operacionin: Do t’i presim rrugën së keqes


Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, ka përshëndetur goditjen e tetë grupeve kriminale mëngjesin e 19 majit, nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Posaçme.

“Përgëzime Policisë së Shtetit dhe SPAK për punën hetimore dhe operacionale, e cila vijon për ekzekutimin e plotë të 32 masave të sigurisë ‘arrest me burg’”, thuhej në njoftimin nga Çuçi.

Çuçi, në deklaratën e tij, thekson se nuk ka kompromis me krimin e organizuar. Po ashtu asnjë kompromis, as me punonjësit e policisë që nuk kryejnë detyrën në luftën e vazhdueshme me krimin apo në rastin më të keq bëhen palë me të.

“Do t’i presim rrugën së keqes kudo ajo shfaqet e në çdo kohë, për një Shqipëri më të sigurt e ku së bashku ndërtojmë të ardhmen tonë”, ishte mesazhi përmbyllës i deklaratës së Çuçit.

Më herët kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shteti, Gledis Nano, pasqyruan detajet e këtij aksioni.

Kraja tha se nga hetimet u zbulua një rrjet i gjerë kriminal, ku kanë qenë të përfshirë në një sërë ngjarjesh të rënda kriminale të ndodhura në qytete të ndryshme.

Policia e Shtetit, me urdhër të SPAK-u nisi një aksion në disa qytete të vendit. Operacioni i Policisë ka vijuar në Tiranë, Elbasan, Korçë, Durrës dhe Fier.

Ky aksion ka ardhur pas rrëfimit të Nuredin Dumanit – i arrestuar më 29 mars të këtij viti. Dumani ishte një nga personazhet më të kërkuara të botës së krimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore