Shqipëria

Kraja-Nano japin detajet e 32 urdhërarresteve: 18 masa janë ekzekutuar


Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, në një konferencë për shtyp të enjten e 19 majit, ka zbardhur 32 urdhërarrestet të lëshuara mëngjesin e kësaj dite.

Së bashku me Krajën, detaje ka dhënë edhe kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Ky i fundit ka shpjeguar se nga këto, 18 masa sigurie janë ekzekutuar.

“Nëntë persona janë kapur gjatë këtij operacioni, ndërsa për nëntë të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa IEVP. Kjo, pasi këta shtetas janë arrestuar më parë, për vepra të ndryshme penale”.

Sakaq, Kraja në fjalën e tij bëri të ditur se ky operacion hetimor ka qenë në bashkëpunim të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ai tha se u zbulua një rrjet i gjerë kriminal, ku kanë qenë të përfshirë në një sërë ngjarjesh të rënda kriminale të ndodhura në qytete të ndryshme.

Hetimet e kryera nga SPAK-u – pas arrestimit dhe dëshmisë së Nuredin Dumanit – kanë evidentuar ekzistencën e tetë grupeve të strukturuara kriminale, të cilët kanë një shtrirje gjeografike kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

“Operacioni i koduar ‘Golden bullet’, që është në vijim, ka nisur menjëherë pas arrestimit të shumëkërkuarit Nuredin Dumani, i cili u arrestua gjatë operacionit policor të koduar ‘Arratia'”, tha Nano në fjalën e tij.

Sipas Krajës, provat për këto grupe datojnë që nga viti 2011 e deri më tani, ndërsa nuk dha detaje të tjera për shkak të sekretit hetimor.

Konkretisht në Elbasan janë katër grupe, në Durrës një dhe në Tiranë tre grupe kriminale.

“Këto grupe kriminale janë dedikuar në veprat penale në dëm të jetës dhe shëndetit, si edhe në drejtim të pasurisë”, u shpreh Kraja.

Ndër të tjera, ai theksoi se këta grupe kriminale kanë kryer dhunë të egër, e cila u shfaq në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga një veprimtari kriminale.

“Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe, të cilët janë kundërshtarë të njëri-tjetrit”, vijoi Kraja.

Duke dhënë detaje, kreu i SPAK-ut shtoi se hetimi ka nxjerrë në pah se grupet kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash për vrasjen e personave, të cilët ata i konsideronin si kundërshtarë.

“Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon për një shkallë shumë të lartë të organizimit dhe, në këtë mënyrë, edhe shkallë shumë të lartë rrezikshmërie shoqërore”.

Nuredin Dumani

Në përfundim, Kraja deklaroi se janë caktuar masat e sigurimit personal “arrest me burg” dhe është autorizuar kontrolli i banesës dhe i vendeve në pronësi të 28 shtetasve.

Ai tha se ky operacion nuk do të ndalojë e do të finalizohet me ekzekutimin e të gjithë urdhërarresteve.

Nga ana tjetër, Nano u shpreh se ky operacion vijon dhe Policia e Shtetit është e vendosur për përballjen me çdo grup kriminal në Republikën e Shqipërisë.

“Nuk mund të themi që kjo punë ka nisur dhe mbaron sot, ka filluar që pas konstatimit dhe ndodhjes së ngjarjeve kriminale, që ne kemi kryer veprime. Tërësia e provave të mbledhura ka dokumentuar mekanizmat e secilës ngjarje dhe pasi janë grumbulluar provat e tjera kanë ardhur dhe arrestimet e tjera”, u shpreh Nano.

Ndër të tjera, Nano tha se gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave dhe hoteleve, janë sekuestruar tri armë zjarri – konkretisht dy kallashnikovë dhe një pistoletë – dy antiplumb, si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Ai e mbylli, duke theksuar se ky operacion do të vijojë derisa të përfundojë në një kohë të caktuar.

Kush janë të arrestuarit?

Nano gjatë fjalës së tij tha se të arrestuar në disa IEVP janë Nuredin Dumani, 35 vjeç; Henrik Hoxhaj 40 vjeç; Altin Ndoci, 35 vjeç; Erion (Andrea) Alibej, 36 vjeç;  Skerdi Tasi, 31 vjeç; Elvis Koçi (Çaushllari), 30 vjeç; Ilirian Feci, 47 vjeç; Enver Diva, 43 vjeç dhe Besjan Xhixha, 31 vjeç.

Ndërsa gjatë operacionit u arrestuan Ardjan Uzuni, 56 vjeç; Leonard Palushi, 41 vjeç; Gentian Sharra, 48 vjeç; Fatos Gosa, 54 vjeç; Florenc Çekrezi, 35 vjeç; Petrit Qoli, 51 vjeç; Agron Qoli, 52 vjeç; Agron Qafa, 48 vjeç dhe Asllan Plaku, 30 vjeç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore