Lajme

24 vjet nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova


Këtë të diele shënohet 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë etnikë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Eksodi, apo dëbimi i shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë dhe Malit të Zi.

Ai ishte rrjedhojë e zbatimit të projektit shovinist serb me emërtimin “Patkoi”. Me këtë projekt, shteti serb synonte të kryente “pastrimin etnik” të popullsisë etnike shqiptare të Kosovës – një nga eksodet më të rënda në historinë e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.

Me datë 27 mars, në pikëkalimin doganor të Vërmicës/Morinës kalojnë në Kukës 187 refugjatët e parë nga Kosova. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, në Kukës përkujtohet kjo dramë vuajtjesh nga më të tmerrshmet që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke, transmeton “Kosova Press”.

U morën masa të menjëhershme për transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe ushtrisë nga Drejtuesit e Prefekturës së Kukësit. Ata ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushë e Madhe dhe Zym. Si fillim këto refugjatë u strehuan në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina”.

Me datë 28 mars vazhdoi fluksi i kosovarëve drejt Kukësit, të dëbuar me forcë prej trojeve nga pushtuesit serbë. Numri i tyre ishte 13 mijë banorë. Refugjatët kosovarë hynin në Kukës nga pikëkalimi i Vërmicës/Morinës ku edhe ishin dhunuar, torturuar, masakruar dhe zhveshur nga policët serbë.

Vendstrehimi i tyre përkohshëm ishte Pallati i kulturës “Hasan Prishtina”. Më pas pushteti lokal në Kukës hapi dyert e disa mjediseve shkollore, çerdhesh, kopshtesh, magazinash dhe deposh për strehimin e të dëbuarve. Refugjatët e tjerë u strehuan në familje kuksiane ku edhe u mikpritën nga to.

Në krye të javës në Kukës mbërriti karvani i dytë i të dëbuarve me rreth 70 mijë kosovarë. Nga këto 40 mijë u sistemuan pranë familjeve qytetare, 10 mijë në mjedise të ndryshme publike të qytetit, 6 mijë në komunat Bicaj, Kolsh, Tërthore dhe Shtiqën, 12 mijë në qytetin e Krumës dhe 300 në komunën Golaj.

Në Kukës mbërritën 16 automjete për të evakuuar një pjesë të kosovarëve në qytete te tjera. Dita-ditës numri i të dëbuarve rritej. Pavarësisht strehimit në shtëpitë e banorëve kuksianë, një numër i madh kosovarësh strehoheshin në kampe.

Një nga simbolet kryesore të 16 Prillit është edhe Obelisku. Kulla u ndërtua si shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar. Ajo është ndërtuar në vendin ku ishin vendosur çadrat qe strehonin popullatën kosovare. Kulla është 23.5m e gjatë dhe është e mbushur me foto të cilat paraqesin ngjarjet e asaj kohe.

Për të kujtuar ditët e shpërnguljes më dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit qëndron monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”.

Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, një vepër kjo artistike-monumentale që shpreh më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në atë kohë, Bill Clinton,  iu drejtua popullit shqiptar të Kosovës përmes një mesazhi historik, duke u bërë mbështetje në momentet e tyre më të vështira.

“Ju do të ktheheni në shtëpitë tuaja. Ju do të keni shkollat tuaja dhe do të ushtroni fenë tuaj. Ju do të zgjidhni udhëheqësit që dëshironi dhe do të vendosni vetë të ardhmen tuaj. Ju nuk do t’i çoni djemtë tuaj ushtarë për Jugosllavinë. Ju do të keni si monedhë tuajën markën ose dollarin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore