Stil

2020-ta e kostumeve sportive


2020-ta ishte viti i kostumeve sportive.

Me përhapjen e virusit dhe mbylljen e të gjithë njerëzve në shtëpi u duk se një sërë zakonesh të tyre ndryshuan. Lindi nevoja për komoditet.

Një numër i shumtë stilistësh u frymëzuan për krijimin e kostumeve sportive, bazuar edhe te nevojat e njerëzve.

Kjo u konstatua edhe në krijimet e stilistëve shqiptarë, promovimin e blogereve dhe veshjet e zakonshme të njerëzve.

Stilistja Migena Elezi në Tiranë për Albanian Post u shpreh se “Kërkesat më të shumta këtë vit kanë qenë për kostume sportive. Njerëzit filluan të mësoheshin me idenë se klasikja nuk është domosdoshmëri. Ne dizajnuam kostume me ngjyra të ndryshme dhe copa, të cilat qëndronin sa më të rehatshme në trup”.

Erika Jaupi e Albania Desing Academy foli rreth tendencave të fundit të kostumeve.

Ajo tha se “Markat më të njohura që u futën në Shqipëri ishin Pangaia dhe EntireWorld. Format janë përgjithësisht të njëjta, me llastik në këmbë dhe të lirshme”.

Kostume sportive shumëngjyrëshe

Një ndër trendet e tjera ishin kostumet sportive me shumë ngjyra. Ata u panë të visheshin, duke filluar nga këngëtaret më të njohura me famë botërore, si Jlo, Haily Bieber, dhe vipat shqiptarë.

Blogeret dhe prezantueset e njohura shqiptare, si Alketa Vjesiu, Bora Zemani, Luana Vjollca, Sara Berisha promovuan vazhdimisht veshje sportive.

Albanian Post kontaktoi me një numër relativisht të madh vajzash, për të mësuar më shumë rreth kësaj tendence.

Gjatë vëzhgimit në çdo kafene, të qytetit, institucione dhe prononcimeve të tyre, u vu re se në gardërobën e tyre ishin shtuar ndjeshëm kostumet sportive.

 

 

Kostume edhe për mbrëmje

Fantazia e dizajnuesve duket që nuk ka të sosur. Ata ia kanë dalë që veshjet e tyre sportive t’i përshtatin edhe për mbrëmje. Të kombinuara me një xhaketë të lirshme, taka dhe tuta sportive duket që shumë njerëz ndihen rehat.

Stilistja Kozeta Halili tha se “Një kombinim i çuditshëm, por shumë i përdorur për këtë vit, ka qenë dhe veshja e kostumeve sportive me çizme.”

 

Duket që krijimtaria s’ka fund. Të presim se çfarë do të na sjellë ky vit, në fushën e modës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore