Lajme

12 operacione kardiokirurgjike kryhen nga mjekët nga Turqia në QKUK


Foto: Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka bërë të ditur se mjekët nga Turqia në bashkëpunim me mjekët e Kosovës, deri tani kanë kryer 12 operacione kardiokirurgjike tek fëmijët dhe 26 raste në sallën e kateterizmit në kuadër të Klinikës së Kardiologjisë.

Përmes një komunikate për media është thënë se akoma janë duke vazhduar operacionet.

“Operacionet dhe ndërhyrjet e tjera po vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme. Drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, gjatë ditës së sotme ka pritur ekspertët nga Turqia, të cilët i ka falënderuar për punën e shkëlqyer që kanë bërë dhe po bëjnë në trajtimin e fëmijëve kosovarë”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Mjekët kanë shprehur mirënjohje për mundësinë që u është dhënë nga Kosova.

“Gjatë takimit me mjekët dhe stafin tjetër nga Turqia, ata kanë shprehur kënaqësinë e tyre që patën mundësi t’i trajtojnë fëmijët nga Kosova, duke shprehur falënderimin edhe për stafin vendor të klinikave që janë treguar shumë bashkëpunues”.

Po ashtu, ShSKUK-ja ka bërë të ditur se edhe në muajin shtator një ekip nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijnë për të operuar fëmijë të tjerë.

“Një delegacion tjetër i mjekëve dhe ekspertëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet që në muajin shtator të vijë në Kosovë, për të operuar fëmijë të tjerë që kanë probleme me zemër”.

Këto bashkëpunime po mundësohen në kuadër të planit që ka Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK për trajtim të fëmijëve dhe zhvillim të shërbimeve që lidhen me ofrimin sa më cilësor të shërbimeve për qytetarët.

Më 18 shtator, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili dhe drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, Elvir Azizi, në takimin e të hënës me mjekët dhe ekspertët nga Turqia ka bërë të ditur se gjatë javës do të kryejnë 16 operacione.

Ekipi i mjekëve po qëndron në Kosovë në bashkëpunim dhe mbështetje të organizatës Muntada Aid, Kabir Miah, kurse koordinimin punës e ka bërë doktor Ramush Bejiqi.

Më 31 maj të 2022, Albanian Post kishte realizuar një video story për kirurgun australian Paddy Deëan, i cili kontribuonte në realizimin e operacioneve të cilat konsiderohen si tejet të vështira.

Ai gjatë qëndrimit të tij, kishte bërë rreth 25 konsultime me pacientë me anomali të ndryshme që janë operuar më parë.

Operacionet që kishin kryer Paddy Dewan dhe kirurget Kosovar, po të mos bëheshin falas, do kapnin vlerën e mbi 1 milion eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore