Shqipëria

Puna e detyruar, çfarë parashikon projektligji i ri për studentët e mjekësisë


Pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese, Ministria e Shëndetësisë në Republikën e Shqipërisë ka prezantuar projektligjin për punën e detyruar për studentët e mjekësisë.

Këtë herë me një draft që parashikon uljen e afateve të punës.

Kështu, drafti i ri parashikon uljen e viteve të punës për studentët e vitit të dytë: nga tre në dy vjet punë të detyruar.

Ndërsa për ata në vitin e 5-të dhe të 6-të: nga dy vite punë të detyruar, zbret në një.

Më tej aty thuhet se në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda tre muajve, për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në nëntë muaj, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor.

Kjo për një periudhë jo më të gjatë se ky afat.

Gjithashtu atij i ofrohet të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda nëntë mujore në institucionet shëndetësore publike.

Ky projektligj fillimisht u miratua në korrik të vitit të shkuar si masë për të parandaluar largimin e mjekëve nga Shqipëria.

Por ligji solli kundërshtinë e studentëve, të cilët lanë auditorët për të protestuat për të dretjën e tyre.

Pas dërgimit në Kushtetuese – dhe me pezullimin e përkohshëm – studentët iu rikthyen jetës normale.

Vetë Kushtetuesja tha se, afati 5-vjeçar i miratuar nga Qeveria nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen.

Gjë që tashmë është plotësuar me draftin e ri.

A është kontrata e detyrueshme zgjidhje për mos emigrimin e bluzave të bardha?

Profesor, Arjan Gjonça, i London School of Economics, u shpreh asokohe për AP-në se adresimi i kësaj çështje ose i emigrimi i të rinjve në përgjithësi është “shumë i vonuar”.

Gjonçaj, i cili ka shërbyer si kryetar i Komisionit për Reformën e Arsimit të Lartë në Shqipëri në vitet 2014-2020 u shpreh se “plakja e popullsisë si rezultat i emigracionit, ka ndikuar në tregun e punës”.

“Në sektorin e shëndetësisë mendoj se situata është më alarmante se sa në sektorët e tjerë. Kjo, për arsye se punësimi jashtë vendit në këtë profesion është gati i garantuar, me vende si Gjermania dhe Italia, që marrin një pjesë të madhe të të diplomuarve tanë në këtë sektor”, thotë eksperti duke vënë në dukje se e gjithë Evropa ka mungesë të specialistëve të shëndetësisë.

Sa i takon kësaj të fundit, në vitin 2021, një raport i organizatës “Together for Life” tregoi se numri i mjekëve shqiptarë të diplomuar në shkollat shqiptare dhe që aktualisht punonin në Gjermani ishte vetëm 521.

Por, vendi jonë, sipas studimit ka shkallën më të ulët të mbulimit të kujdesit shëndetësor për popullsinë, me 1.2 mjekë për 1 mijë banorë.

Ama Gjonçaj thekson se është një e drejtë e çdo individi të lirë – e drejta e lëvizjes së lirë dhe e drejta për t’u punësuar atje ku e gjen ai/ajo të mundur të punësohet.

“Është dhe një nga të drejtat e qytetarëve të BE-së, ku ne dhe dëshirojmë të aderojmë”, thotë ai.

Nga ana tjetër, për të, kontrata është një marrëveshje kontraktuale, midis shtetit dhe individit që do të studiojë në sektorin e shëndetësisë, “pra janë të lirë të dyja palët ta firmosin”.

Arjan Gjonca - Drafti per reformen ne arsimin e larte- Dite e Re- 05 mars 2015-Ora News - YouTube
Profesor, Arjan Gjonça, i London School of Economics

Ndyshe mendon, Ndriçim Mehmeti, ekspert arsimi në Shqipëri, i cili shprehet se projektligji është krejtësisht “antikushtetues”.

Ai për Albanian Post citon “Neni 57” të Kushtetutës së vendit

“1.Kushdo ka të drejtën për arsimim. 2.Arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj. 3.Arsimi i mesëm i përgjithshëm publik është i hapur për të gjithë. 4.Arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie. 5.Arsimi i detyrueshëm, si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkollat publike është falas. 6.Nxënësit dhe studentët mund të arsimohen edhe në shkolla jopublike të të gjitha niveleve, të cilat krijohen e funksionojnë në bazë të ligjit. 7. Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj”.

Kështu për Mehmetin, arsimi është falas, që do të thotë se “kostot i paguan shteti dhe nuk janë detyrim i familjeve shqiptare sikundër përmendi Rama”.

“Është tërësisht e papranueshme mbajtja peng e diplomës apo detyrimi për të punuar pesë vjet në Shqipëri. Askund nuk ka një ndalesë të tillë, në asnjë vend nuk ka asnjë model të tillë”, thotë ai duke shtuar se “Franca e ka tarifën 197 euro për studimet në mjekësi dhe Gjermania falas”.

Ai thekson se, studentët mund ta “godasin si të paligjshëm në Gjykatë këtë vendim”.

Mehmeti: Shqipëria kishte menaxhimin më të dobët në rajon të pandemisë - Revista Monitor
Ndriçim Mehmeti, ekspert arsimi në Shqipëri

Ekspertët ndajnë këndvështrime të ndryshme edhe sa i takon edhe ndikimit që do të ketë miratimi i këtij projektligji te maturantët që dëshirojnë të regjistrohen në Fakultetin e Mjekësisë.

Gjonçaj thotë se nuk beson se kjo “do të influencojë shumë ofertën e tyre, sepse ndoshta garantimi i punësimit dhe i specializimit mund të kenë efektin e kundërt”.

Nga ana tjetër Mehmeti shprehet se do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në ofertën e tyre.

Por të dy bien dakord në një pikë.

Këta studentë mund të preferojnë universitetin jo-publik, ose do shkojnë për studime jashtë shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore