Sport

Zyrtari i FFK-së e detyron gazetarin ta përmend emrin e Kosovës


Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, e ka detyruar gazetarin e gazetës spanjolle “AS”, që më në fund të përmend emrin e Kosovës.

Në konferencën e mbajtur për media, para ndeshjes që Kombëtarja e Kosovës do ta luaj kundër Spanjës, ishin të pranishëm Bernard Challandes, Bajram Shala dhe Hekuran Kryeziu.

Kohëve të fundit është përfolur shumë rreth ndeshjes në mes të Kosovës dhe Spanjës, pasi që këta të fundit nuk e pranojnë shtetin e Kosovës.

Ditë më parë, gazeta spanjolle “AS” publikoi tabelën e grupit B, ku gjendet Kosova për kualifikimet për Kupën e Botës “Katar 2022”, por aty nuk figuroi emri i Kosovës.

Andaj kjo gjë bëri që zyrtari i FFK-së, mos ta lejojë t’ia jep fjalën gazetarit të këtij mediumi spanjoll, për deri sa ai nuk e përmend emrin e Kosovës.

Dhe pas shumë insistimeve të Shalës, gazetari në fund përmendi emrin e Kosovës, dhe ai ia dha fjalën për të bërë pyetjet që kishte në drejtim të trajnerit Challandes.

https://www.youtube.com/watch?v=GJlrWfd4lik&ab_channel=PrishtinaTV

 

Konferenca:

Gazetari: Një pyetje për trajnerin…  a mendoni se Luis Enrique do të bëjë shumë ndryshime?

Shala: Pyetja ishte në drejtim të trajnerit të kujt?

Gazetari: Trajnerit…

Shala: Trajnerit te….? Sepse nuk e kemi parë emrin e ekip tonë kombëtar në mediat tuaja, duhet të sqarohet pyetje për trajnerin e kujt është.

Gazetari përsërit: Pyetja për trajnerin lidhur me Enriquen…

Shala: Po, por trajnerin e kujt sepse nuk e kemi parë emrin e kombëtares sonë në gazetat e juaja.

Gazetari: Pyetja është për trajnerin!!!

Shala: Të cilit ekip???

Gazetari: Të Kosovës, më falni.

Kujtojmë që Kosova dhe Spanja do të përballen të mërkurën, në ndeshjen e dytë kualifikuese të Kupës së Botës, me fillim nga ora 20:25, në stadiumin “La Cartunja” të Sevillës.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore