Përballje

Zyrtare: Me vendimin e Komisionit të Garave, KF Dukagjini shkon direkt në finale të Kupës së Kosovës


Klubi nga Liga e Parë e Kosovës, KF Dukagjini, bëhet finalisti i parë i edicionit 2020/21 të Kupës së Kosovës.

Komisioni i Garave për Superligë dhe Ligë të Parë, në mbledhjen e mbajtur me datën 8 prill, shqyrtoi ankesën e parashtruar nga klubi i Dukagjinit, të cilën e kishte bërë një ditë më parë, ndaj regjistrimit të ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, të zhvilluar ndërmjet Istogut dhe Dukagjinit.

Ky komision, miratoi ankesën e klubit të Dukagjinit, duke eliminuar Istogun nga Kupa e Kosovës, pasi që futbollisti i tyre Erion Ceta ishte aktivizuar në lojë, edhe pse nuk kishte të drejtë për shkak të ndëshkimeve më kartonë të verdhë në dy ndeshjet paraprake.

Kujtojmë që ndeshja e parë gjysmëfinale ishte zhvilluar në Istog dhe përfundoi me rezultat 1:2 në favor të Dukagjinit, ndërsa ndeshja e kthimit ishte programuar që të luhet me 21 prill.

Por, Komisioni i Garave mori vendim që kjo ndeshje të regjistrohet me rezultat 0:3 dhe Dukagjini do të kalojë në finale të Kupës së Kosovës.

Pra Dukagjini do të jetë finalisti i parë i kupës, dhe do të pret në finale njërën prej Prishtinës ose Llapit, të cilët kanë për ta zhvilluar edhe ndeshjen e kthimit, ndërsa ndeshja e parë në mes tyre përfundoi me rezultat 2:3 në favor të Llapit.

Kujtojmë që fituesi i Kupës së Kosovës, do të marrë pjesë në kualifikime për Ligën e Evropës, në sezonin e ardhshëm.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore