Lajme

Zjarrfikësit-Heronj të anashkaluar


Zjarrfikësit

Në sezonin e verës kur temperaturat shënojnë rritje të mëdha, zjarret shpërthejnë thuajse gjithandej.

Kosova është njëri ndër vendet e rajonit që po ballafaqohet javëve të fundit me zjarre, ndërsa ato në disa vende nuk po mund të shuhen për shkak të terrenit të vështirë e as të futen nën kontroll.

Në disa vende të tjera mjetet dhe ekipet janë të pamjaftueshme që të përballen me situatën.

Zjarrfikësve u dolën në ndihmë edhe ekipe të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe në disa raste edhe pjesëtarët e KFOR-it. Mirëpo, zjarret janë ende aktive në disa vatra prej javësh.

Se sa është Kosova e gatshme të përballojë vatrat e zjarrit në sezonin e nxehtë të cilat kryesisht përfshijnë̈ malet dhe fushat e vendit, për Albanian Post ka folur eksperti i emergjencave, Tahir Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se gjatë sezonës së verës kur ka temperatura të larta, Kosova ballafaqohet me zjarre të shumta dhe se kryesisht shkaktar për to është faktori njeri.

“Këto zjarre kryesisht janë të shkaktuara nga dora e njeriut, qoftë qëllimisht apo nga pakujdesia. Gjatë këtij muaji patëm disa vatra të zjarreve në pjesë të ndryshme të Kosovës, e sidomos në vende të thella malore, e që ishte mjaftë i vështirë lokalizimi i atyre zjarreve dhe futja nën kontroll, për shkak edhe të terrenit mjaft të papërshtatshëm”.

Zjarr në malet e fshatit Shtupeq i Madh

Ai ka thënë se zjarret e fundit shpërfaqën mungesën e resurseve njerëzore të zjarrfikësve dhe pajisjeve.

“Siç edhe e pamë zjarrfikësit si reaguesit e parë në ato raste, nuk arritën që të shuajnë ato zjarre, andaj në ndihmë iu dolën edhe pjesëtarët e FSK-së dhe KFOR-it. Duhet cekur që numri i zjarrfikësve në Kosovë është mjaft i vogël, kur kësaj i shtojmë që edhe mjetet dhe pajisjet e tyre janë larg standardeve të dëshiruara, atëherë me të vërtetë vështirësohet përballja e tyre me këto zjarre dhe menaxhimi i plot dhe efektiv”, tha ai.

Fushatat vetëdijësuese dhe në kohë janë më se të domosdoshme si masë preventive kundër zjarreve dhe si masë informuese për gjobat që mund të shqiptohen rreth zjarreve të qëllimshme.

“Në të ardhmen, institucionet përgjegjëse duhet që me kohë të bëjnë fushata vetëdijesuese, gjithëpërfshirëse, duke paralajmëruar qytetarët për sanksionet ndëshkuese nga shkaktimi i zjarreve të qëllimshme. Duke u bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës, inicimi i zjarrit që është me rrezik të përgjithshëm është vepër penale dhe sanksionohet me burgim”.

Se a ka Kosova mjaftueshëm zjarrfikës të iu bëjnë̈ ballë zjarreve, Ahmeti për Albanian Post ka thënë se resurset humane mungojnë.

“Një ndër problemet kryesore janë resurset humane, numri i vogël i zjarrfikësve në pothuajse të gjitha komunat. Sipas ligjit për zjarrfikje dhe shpëtim, do duhej që një zjarrfikës të mbulonte 1 mijë e 500 banorë, ndërsa tani për tani kemi përafërsisht një zjarrfikës për 2 mijë e 800 deri në 3 mijë banorë”.

Kurse sa i përket pajisjeve ai ka thënë se janë të pamjaftueshme madje një pjesë e tyre janë edhe shumë të vjetruara.

“Kur jemi te mjetet dhe pajisjet edhe në këtë aspekt ka ngecje, disa mjete janë të stërvjetëruara dhe në numër të vogël, gjithashtu mungojnë edhe pajisjet me të cilat zjarrfikësit do duhet të intervenojnë në raste të tilla. Pra, marrë parasysh gjithë këto, me të vërtet ky shërbim i sigurisë, në vazhdimësi është lënë pas dore dhe nuk është trajtuar seriozisht”.

KFOR në përpjekje për shuarjen e zjarreve në Kosovë

Ahmeti ka thënë gjithashtu se zjarrfikësit e kanë dëshmuar veten dhe se ata janë të përgatitur për situata.

“Po zjarrfikësit e kanë dëshmuar që edhe përkundër mungesës së stadit të kushteve të këqija të punës, me aq sa kanë pasur mundësi thuajse gjithmonë kanë qenë në nivel të detyrës”.

Mosha e zjarrëfikësve është problem thotë ai, pasi që mosha mesatare e tyre është mjaft e shtyrë, diku rreth të 50-tave.

“Pra, duhet që seriozisht të mendohet në shtimin e numrit të zjarrfikësve të ri në mënyrë që kur është nevoja ata të kryejnë punën e tyre si është më së miri, në shërbim të sigurisë së qytetarëve dhe ruajtjen pronave të tyre”.

Se sa vlerësohet puna e zjarrfikësve në Kosovë nga ana e institucioneve të vendit, kur dihet se në kohën e pandemisë̈ COVID-19, mjekët tanë̈ ishin heronjtë̈, por a shihen me syrin e njëjtë̈ edhe zjarrfikësit, Ahmeti ka thënë se “derisa në shumë vende të botës zjarrfikësit shpëtues cilësohen si heronj, në Kosovë kjo kategori injorohen thuajse që nga pas lufta”.

Sipas tij “Shërbimi i Zjarrfikjes dhe Shpëtimit ka mbetur për vite të tëra jo vetëm i anashkaluar, por fatkeqësisht i pa-trajtuar as profesionalisht, as teknikisht, as ligjërisht”.

Ai ka thënë se është koha e fundit që institucionet e Kosovës të qartësojnë shpejtë dhe saktë zgjidhjen e kërkesave të zjarrfikësve shpëtues dhe të ndajnë buxhetin e nevojshëm për këtë kategori punëtorësh sakrifikues në Kosovë.

“Është detyrim i Qeverisë që të përmirësojë kushtet e këtij shërbimi, në mënyrë që ata të kryejnë punën e vet në shërbim të sigurisë së qytetarëve” ka deklaruar Ahmeti për Albanian Post.

Policia e Kosovës ka njoftuar se nga muaji qershor i këtij viti deri më 10 gusht janë evidentuar 109 raste të zjarrëvënies, 71 raste “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe 95 raste “incidente zjarri”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore