Kosova

20 të arrestuar për zjarret në Kosovë dhe 41 persona të dyshuar


Zjarri në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se nga muaji qershor i këtij viti deri më 10 gusht janë evidentuar 109 raste të zjarrëvënies, 71 raste “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe 95 raste “incidente zjarri”.

Lidhur me rastet e sipër cekura nga Policia e Kosovës janë iniciuar procedura penale dhe janë identifikuar 41 persona të dyshuar si dhe janë arrestuar gjithsej 20 persona të dyshuar të përfshirë në to.

“Gjatë kësaj periudhe ne falënderojmë qytetarët dhe institucionet tjera për bashkëpunimin dhe ndihmën e ofruar në funksion të identifikimit të shpejtë të incidenteve të zjarrit, parandalimit të rasteve tjera të rrezikut të përgjithshëm dhe shpërndarjen e informacioneve lidhur me vetëdijesimin për rrezikun potencial që mund të vije nga veprimet e pakujdesshme të disa personave”, thuhet në njoftim.

Këto raste, sipas Policisë kanë shkaktuar rrezik për jetën e qytetarëve, por edhe pronën në përgjithësi, si atë private dhe shtetërore.

Policia e Kosovës, po ndërmerr masa të vazhdueshme ligjore ndaj të gjithë atyre individëve që në një formë apo tjetër rrezikojnë jetën apo pronën e qytetarëve, qoftë qëllimisht apo përmes pakujdesisë së shfaqur në çfarëdo forme.

“Policia e Kosovës përveç realizimit të detyrave të saj në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor dhe lehtësimin e qarkullimit të mërgimtareve nëpër pikat kufitare të Republikës së Kosovës gjatë kësaj periudhe me aktivitete të intensitetit dhe densitetit mjaft të madh në vendin tonë, vëmendje të veçante dhe resurse relevante ka ofruar për të asistuar edhe institucionet/agjencionet tjera shtetërore, në parandalimin, hetimin dhe luftimin e zjarreve të shkaktuara”, thuhet më tej.

Ndërkaq, të mërkurën e katër gushtit, një person nga Malisheva ka humbur jetën, e si pasojë e vdekjes dyshohet të jetë tymi, pasi që viktima kishte shkuar tek stalla e cila ishte përfshirë nga zjarri.

Po ashtu, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,  përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të përmbahen nga veprime të cila mund të shkaktojnë zjarre.

Sipas Osmanit, “të gjithë duhet të mobilizohen që ta ruajnë mjedisin dhe jetët e njerëzve”.

“Në kohën kur temperaturat ekstreme kanë përfshirë vendin tonë, rreziku nga zjarret është rritur tej mase. Prej disa ditësh në disa rajone të Kosovës situata është rënduar nga zjarret dhe ky rrezik ende nuk ka kaluar”, ka shkruar Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore