Kosova

Zjarrfikësit e Kosovës “luftojnë” zjarrin me kamion të viteve të 60-ta


Ilustrim

Të mërkurën e katër gushtit, një person nga Malisheva ka humbur jetën, e si pasojë e vdekjes dyshohet të jetë tymi, pasi që viktima kishte shkuar tek stalla e cila ishte përfshirë nga zjarri.

Ndërkaq disa vatra të zjarrit në Pejë, Malishevë dhe Drenas vazhdojnë të jenë aktive, nga 50 sa kanë qenë në fund të javës së kaluar.

Në këtë situatë Kosova po përballet me mungesë të zjarrfikësve, por edhe ata që janë aktiv thonë se nuk i posedojnë as kushtet minimale për punë.

Valon Kuka nga Kaçaniku, i cili punon si zjarrfikës, ka thënë për Albanian Post se kushtet me të cilat punojnë zjarrfikëset janë mjaft të rënda.

“Pa sigurim shëndetësor, për ditët e festave nuk ka kompensime, në ditë kur punojmë në vikende nuk ka mëditje, pra nuk llogaritet se kur punojmë jashtë orarit të punës, rrugëtimin e paguajmë vetë, por mbi të gjitha këto kryesorja janë pagat e ulët”, tha Kuka.

Ai shton se sfidë tjetër janë pajisjet e vjetërsuara, pasi sipas tij, “80 për qind e pajisjeve janë të stërvjetra, kamionët janë të viteve 1960 me përjashtim të një kamioni i cili është blerë gjatë vitit 2014-2015”.

Për numër të vogël të zjarrfikëseve, ankohet edhe kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka.

“Tek ne janë afër 900 zjarrfikës, në disa komuna ne ndërrim janë nga dy ose tre zjarrfikës që nuk mund të plotësohen kriteret me këtë numër të vogël. Kjo e bën të vështirë që situata emergjente te menaxhohet pa një numër të shtuar të zjarrfikësve”, shprehet Beka për AP.

“Në këtë shërbim për 20 vite nuk është investuar asgjë, është momenti i fundit që qeveria të angazhohet seriozisht për të dalë nga kjo krizë që ka kapluar shërbimin e zjarrfikësve”, shtoi Beka.

Ndërkaq, sipas zëdhënësit të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Nehat Koqinaj, po të kishte zjarrfikës më shumë zjarret do të shuheshin më shpejt.

“Numri i vogël i zjarrfikësve po e vështirëson situatën aktuale dukshëm në Kosovë, po ashtu kushtet e motit të nxehtë për një periudhë më të gjatë dhe shpërndarja e zjarreve në territor”, deklaroi Koqinaj.

Ndryshe, Sindikata e Zjarrfikësve i kanë dërguar letër kryeministrit Kurti, në të cilën kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me zjarrin që ka përfshirë disa vatra në Kosovë.

“Të shqetësuar me pozitën e vështirë që ka kapluar shërbimin e zjarrfikës dhe Shpëtimit në të gjitha Komunat e Kosovës edhe një herë ju drejtohemi si përgjegjës të institucioneve më të larta Shtetërore, më shpresë se do të shqyrtohet kjo gjendje e rëndë dhe e pa përballueshme që po na përcjell vite me radhë”, është shkruar në letrën e Sindikatës së Zjarrfikësve.

Në anën tjetër, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka apeluar që të mos vizitohet fshati Shtupeq i Madh, nga Qafa e Brodiqit derisa gjendja me vatrat e zjarrit të vihet nën kontroll.

Të mërkurën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,  përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të përmbahen nga veprime të cila mund të shkaktojnë zjarre.

Sipas Osmanit, “të gjithë duhet të mobilizohen që ta ruajnë mjedisin dhe jetët e njerëzve”.

“Në kohën kur temperaturat ekstreme kanë përfshirë vendin tonë, rreziku nga zjarret është rritur tej mase. Prej disa ditësh në disa rajone të Kosovës situata është rënduar nga zjarret dhe ky rrezik ende nuk ka kaluar”, ka shkruar Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore