Lajme

Kosovë: Në Shtupeq të Madh të rajonit të Rugovës zjarri ka përfshi malet


Zjarr në malet e fshatit Shtupeq i Madh

Një zjarr i madh ka përfshi malet përreth fshatit Shtupeq të Madh të Komunës së Pejës.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Ai ka thënë se zjarri është lokalizuar por nuk është shuar.

“Gjatë tërë ditës kanë qenë atje, njësia Speciale Operative, zjarrfikësit përfaqësuesit e pyjeve të rajonit, kanë intervenuar deri në këto momente”.

Gashi ka thënë se operacioni për shuarjen e zjarrit është ndërprerë për të vazhduar nesër në orët e hershme të mëngjesit.

“E kanë ndërprerë operacionin, por nuk kanë arritur ta shuajnë zjarrin krejt, por është në përmasa më të vogla”, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se Policia e Kosovës në këtë operacion ka angazhuar dy topa ujë dhe janë përpjekë ta shuajnë zjarrin.

Në bazë të informacioneve, Gashi ka thënë se në operacion janë përfshi KFOR-i me anë të helikopterëve si dhe njësitë zjarrfikëse të Pejës dhe FSK-ja.

Ndërsa, sa i përket rrezikut dhe dëmit në njerëz dhe shtëpi, ai ka thënë se “nuk ka rrezik për shtëpitë, por vetëm pyjet. Sipas përfaqësueseve të pyjeve, është një sipërfaqe e madhe dhe nuk është lokalizuar zjarri”.

Kurse, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, përmes një postimin në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se është lokalizuar zjarri që kishte përfshirë malin në fshatin Shtupeq të Rugovës, duke angazhuar edhe efektivat e specializuara të Regjimentit të Dytë të Forcave Tokësore.

“Menjëherë pas marrjes së informacionit për shpërthimin e zjarrit në malet rreth fshatit Shtupeq të Madh në rajonin e Rugovës, kemi angazhuar efektivat e specializuara të Regjimentit të Dytë të Forcave Tokësore dhe njësinë e zjarrfikjes së Gardës Kombëtare të FSK-së”.

Mehaj ka treguar se ishin koordinuar me gjeneralin e KFOR-it, për shuarjen e zjarrit me anë të dy helikopterëve.

“Gjithashtu kam kontaktuar me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it, gjeneralin amerikan Maier me të cilin kam koordinuar me ta ndërhyrjen nga ajri me dy helikopterë. Ndërhyrja e menjëhershme ka rezultuar me sukses të plotë dhe se zjarri është lokalizuar dhe nuk ka mundësi të depërtoj në zonat e banuara. Sonte do të qëndrojnë në vend-operacion të gjitha kapacitetet e angazhuara të FSK-së”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore