Kosova

Situata me zjarret në Kosovë


Zjarri në Kosovë

Ditëve të fundit është përhapur zjarri në disa prej rajoneve të Kosovës. Ndërkaq disa vatra të zjarrit në Pejë, Malishevë dhe Drenas vazhdojnë të jenë aktive, nga 50 sa kanë qenë në fund të javës së kaluar.

Përhapjes së zjarrit i kanë ‘kontribuar’ edhe temperaturat e larta si dhe djegia e sipërfaqeve hamullore. Mirëpo gjendja më problematike është paraqitur në Shtupeq të Madh të Rugovës.

Policia e Kosovës ka paraqitur raportin 24 orësh, lidhur me gjendjen aktuale të rajoneve të Kosovës si dhe raportin e të lënduarve dhe pasojat që ka shkaktuar zjarri.

Zjarri në Kosovë

Sankoc, Gllogoc- Në rrethana të panjohura ka shpërthyer zjarri në pronën e ankuesit ku janë djegur hamullore dhe  pylli në hapësirë prej rreth tre hektarëve. Njësitet e zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarrin, nuk raportohet për të lënduar.

Brus, Lipjan- Në rrethana të panjohura ka shpërthyer zjarri në malet e fshatit, ndërsa njësitet e  zjarrfikësve  të Lipjanit, Llapnasellës e Novobërdës së bashku edhe me njësitet policore kanë arritur që të lokalizojnë zjarrin.  Sipas rojës së pyllit janë dëmtuar rreth 20 –hektarë pronë shtetërore dhe 5-hektarë male pronë private. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa rasti është duke u hetuar.

Gushtericë e epërme, Graqanicë- Për shkaqe ende të pa njohura është përfshirë nga zjarri një objekti ndihmës pronë e ankuesit mashkull kosovar. Njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar dhe fikur zjarrin, transmeton Telegrafi.

Ramjan, Viti- Ankuesi kosovar ka njoftuar se disa ara të papunuara  janë përfshirë nga zjarri. Njësitet e zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar dhe të dyshuar.

Rr. Nato-99, Gjilan- Është arrestuar i dyshuari  kosovar pasi që i njëjti në oborrin e depos së tij kishte ndezur një zjarr për t’i djegur disa mbeturina të depos, por pasi që zjarri kishte filluar të merrte përmasa, me ndihmën e qytetarëve dhe njësitet policore, kishin arritur ta lokalizojnë zjarrin. Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Shurdhan, Gjilan- I dyshuari mashkull  kosovar  u kishte vënë zjarrin disa barishteve në një hapësirë prej rreth 2 ari, të cilat ndodheshin në pronën e tij. I dyshuari ka arrit që ta lokalizojë vet zjarrin.

Cernillë, Ferizaj- Si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer për shkaqe të pa njohura deri më tani janë djegur rreth 50 hektarë të hamulloreve të grurit. Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kalë lokalizuar zjarrin. Të lënduar nuk ka.

Softaj, Ferizaj- Si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer për shkaqe të pa njohura deri më tani janë djegur rreth 30 hektarë të hamulloreve të grurit. Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kalë lokalizuar zjarrin. Të lënduar nuk ka.

Peqan, Suharekë- Raportohet se, si pasojë e prishjes së një përçuesi elektrik ka shpërthyer një zjarr ku është përhap në kodrinat e fshatit Peqan dhe Sllapuzhan. Njësitet e zjarrfikësve janë duke  tentuar që ta shuajnë zjarrin.

Fsh. Qerim, Gjakovë– Ankuesi kosovar ka raportuar se për shkaqe ende të pa njohura është përfshirë nga zjarri shtëpia e tij. Njësitë relevante policore si dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, zjarri  është lokalizuar. Përveç dëmeve materiale vlera e të cilave nuk dihet, të lënduar nuk ka pasur. Në lidhje me rastin është informuar prokurori i shtetit.

Lladroc, Malishevë- Në rrethana të panjohura ka shpërthyer zjarri në pronën e ankuesit kosovar, ku janë djeg dy parcela me vreshta dhe pylli në hapësirë prej rreth  5 hektarëve. Njësite zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarrin, nuk raportohet për të lënduar.

Abri e Poshtme, Skenderaj- Ankuesi kosovar ka njoftuar se prona e tij hamullore dhe fusha është përfshirë nga zjarri. Njësitet e zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar dhe të dyshuar.

Të mërkurën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të përmbahen nga veprime të cila mund të shkaktojnë zjarre.

Sipas Osmanit, “të gjithë duhet të mobilizohen që ta ruajnë mjedisin dhe jetët e njerëzve”.

“Në kohën kur temperaturat ekstreme kanë përfshirë vendin tonë, rreziku nga zjarret është rritur tej mase. Prej disa ditësh në disa rajone të Kosovës situata është rënduar nga zjarret dhe ky rrezik ende nuk ka kaluar”, ka shkruar Osmani.

Ndërkaq, të mërkurën e katër gushtit, një person nga Malisheva ka humbur jetën, e si pasojë e vdekjes dyshohet të jetë tymi, pasi që viktima kishte shkuar tek stalla e cila ishte përfshirë nga zjarri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore