Lajme

Kosovë: KFOR ndihmon institucionet për shuarjen e zjarreve


KFOR

Për shuarjen e zjarreve në territorin e Kosovës dhe për të iu dalur në ndihmë Zjarrfikësve, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, është angazhuar edhe misioni paqeruajtës në vend, KFOR.

Përmes një njoftimi për media është bërë e ditur se KFOR-i është angazhuar pas marrjes së kërkesave për ndihmë.

“Deri më sot, KFOR ka pranuar dy kërkesa për mbështetje ajrore nga Qendra e Gjendjes IiK, për të siguruar pika uji mbi zjarret e egra në Parkun Kombëtar Rugova dhe Oshlak (Prizren), të cilat kishin kërcënuar fshatin Skorobishte”.

KFOR ka bërë të ditur se kanë punuar intensivisht me anë të helikopterëve për shuarjen e zjarreve.

“Puna intensive e kryer nga pilotët e helikopterëve ka bërë të mundur shuarjen e zjarrit në Oshlak (Prizren) dhe ka ndihmuar zjarrfikësit të kontrollojnë zjarrin në Parkun Kombëtar Rugova”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Tutje thuhet se “Deri më tani, mbështetja ajrore e #KFOR-it ka rezultuar në rënie të afro 35,000 galenave ujë. Bashkëpunimi i popullatës vendase mund të jetë vendimtar në raportimin e shpejtë të numrit të shpëtimit të Brigadës 193 lokale të Zjarrfikësve, ose emergjencës së Policisë së Kosovës me numrin 192”.

“Duke dhënë informacionin më të saktë të mundshëm kontribuon me vendosmëri për kufizimin e dëmit në mjedis, duke lejuar ata që do të duhet të operojnë në zjarr për të ndërhyrë me shpejtësi, para se zjarri të rritet në fuqi dhe kapacitet shkatërrues”, thuhet në njoftim.

Të mërkurën e katër gushtit një person nga Malisheva ka humbur jetën, e pasojë e vdekjes dyshohet të jetë tymi, pasi që viktima kishte shkuar tek stalla e cila ishte përfshirë nga zjarri.

Ndërsa, Agjencia e Menaxhimit Emergjent e Ministrisë së Punëve të Brendshme bën të ditur se, aktualisht janë 9 vatra aktive ku përveç zonës së bjeshkëve të Rugovës, rrezik paraqitet edhe për komunën e Suharekës dhe Prizrenit me vatra të reja zjarri.

Komunat të cilat janë përfshirë nga zjarri janë disa fshatra në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë.

Po ashtu, vatra të reja të zjarrit janë identifikuar edhe në komunën e Gjakovës, Suharekës, dhe Pejës.

Në Kosovë po vazhdojnë të jenë disa vatra të zjarrit të pashuara plotësisht, megjithatë situata me zjarret në Kosovë është nën kontroll.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore