Lajme

Zgjedhjet në Sllovaki, ja sesi fitorja e Ficos ndryshon balancën në Evropë mes krizës Kosovë-Serbi dhe votimit në Poloni


“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Ukrainën në nivel humanitar dhe në rindërtimin e vendit, por jo me armatim”.

Robert Fico, fituesi i zgjedhjeve në Sllovaki, vendosi menjëherë rekordin, duke i dhënë vetes dy javë për të formuar një ekzekutiv.

Një sipërmarrje jo shumë e thjeshtë duke qenë se do të jetë një qeveri koalicioni: ndoshta me “Hlas” të ish-kryeministrit, Peter Pellegrini, i cili doli i treti me 15%, dhe me Partinë Kombëtare Sllovake.

Fico mori komplimente nga Viktor Orban.

“Është gjithmonë bukur të punosh bashkë me një patriot. Mezi pres!”, shkroi kryeministri hungarez në një postim në Twitter, të njohur tanimë si X.

Dhe ngritja e Fico-s (pro-rus dhe nacionalist) mund të kontribuojë në zhvendosjen e boshtit të Bashkimit Evropian.

Sllovakia është me të vërtetë një vend i vogël (nuk ka as gjashtë milionë banorë), por propaganda e Moskës është shumë aktive, gjysma e popullsisë e di rusisht dhe kufizohet me Ukrainën.

Në vitin 2022 ishte vendi i parë i BE-së që dërgoi një sistem të mbrojtjes kundërajrore në Kiev.

Ndryshimi i drejtimit duket se e bën Orbanin më pak të vetëm përballë vendeve në kufi me Ukrainën, të cilat kanë filluar të distancohen nga kauza e Kievit.

Varshava mund t’i shtohej disi listës, me një fytyrë të bujshme.

Në Poloni (ndër vendet e para për mbështetje ushtarake për Zelenskyn) do të ketë një votim në mes të tetorit dhe kryeministri, Mateusz Morawiecki, ka njoftuar së fundmi një ndalesë sensacionale të ndihmës ushtarake për Ukrainën, në vazhdën e një polemike të lidhur me grurin.

Zgjedhjet dhe tensionet

Ndryshimi i qëndrimit të Varshavës është i lidhur me përleshjet elektorale.

Partia e krahut të djathtë “Ligj dhe Drejtësi” e Morawieckit nuk dëshiron të luajë kumar për votën e fermerëve, gjë që mund të rezultojë fatale në konkurrencën me kandidatin pro-evropian Donald Tusk.

Për këtë do të jetë e nevojshme të kuptohen lëvizjet polake pas votimit.

Së fundi, më i vogël, por jo pa rëndësi, roli i Moldavisë shfaqet në këtë skenar, i qeverisur për momentin nga një parti properëndimore (PAS) dhe me një Presidente të Republikës, Maia Sandu, e cila shikon nga Brukseli dhe ndoshta edhe më shumë nga Washingtoni.

Kishinau, një kandidate me Ukrainën për t’u bashkuar me BE-në, ka denoncuar përpjekjet e infiltrimit rus prej muajsh dhe së fundmi partia e tretë kombëtare, Șor, e lidhur me një oligark të diskutueshëm, u shpërbë.

Fronti ballkanik

Në këtë skenar, erërat e destabilitetit në Evropë po vijnë edhe nga Ballkani.

Prej muajsh ka pasur tension në rritje mes Serbisë (e cila është gjithashtu e lidhur tradicionalisht me Rusinë) dhe Kosovës.

Së pari çështja e targave të cilat kishin shkaktuar tensione dhe bllokime të trafikut në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Pastaj përsëri në këto komuna, zgjedhjet komunale, të bojkotuara nga serbët dhe të fituara nga kryetarët shqiptarë, të cilët arritën të marrin detyrën vetëm të shoqëruar nga ushtria pas tensioneve të tjera.

Më në fund, komando paraushtarake serbe sulmoi një patrullë policie pranë manastirit ortodoks serb të Banjskës, duke vrarë një oficer.

Tre anëtarë të grupit u vranë dhe Milan Radojçiç, i afërt me listën Srpska (grupi politik që përfaqëson serbët e Kosovës), mori “përgjegjësinë e plotë” për sulmin.

Një episod pas të cilit tensionet në aksin Beograd-Prishtinë janë ngritur sërish mbi nivelet e rrezikut, edhe për shkak se ndërkohë SHBA-ja ka akuzuar Serbinë se ka grumbulluar ushtarë në kufi.

Vetëm në orët e fundit trupat janë tërhequr pjesërisht.

Marrë nga “Il Messanggero”, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore