Lajme

Zgjedhjet në Izrael/ Ngërçi politik i radhës


Me mbi 90% të votave të numëruara, krijimi i qeverisë së re në Izrael duket shumë i vështirë. Partia e Benjamin Netanyahu-t, Likud, ka fituar shumicën me ndryshim të madh nga vendi i dytë, por koalicioni i kryeministrit në detyrë nuk do të kapë dot më shumë se 60 mandate.

Në Parlamentin me 120 deputetë, 61 karrige janë të nevojshme për të fituar shumicën. Nëse do të krijohej mundësia për një koalicion fitues, sërish ai do të ishte i brishtë, pasi do të përfshinte parti fetare, politikat e të cilave nuk përputhen me asnjë kah politik.

Netanyahu ka theksuar faktin se do të bëjë të pamundurën që të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Por gjasat janë se Izraeli do të futet në votime për herë të pestë në dy vitet e fundit.

Në rast se Netanyahu arrin marrëveshje me një prej partive të qendrës, skenarët më optimiste e nxjerrin atë me 64 mandate. Një tjetër opsion është edhe një rikthim i aleatit të tij Gideon Saar, i cili u shkëput në 2020-ën për të formuar partinë “Shpresa e Re”.

Opozitarët e Yesh Atid nga ana tjetër, kanë arritur të sigurojnë 17 ulëse. Kjo është e pamjaftueshme për t’i vënë në pozita për krijimin e një qeverie. Gjithsesi, ata i quajtën një fitore zgjedhjet.

Në tërësi janë 13 parti që kanë fituar vende në Parlamentin izraelit. Ky numër i madh e bën edhe më të vështirë formimin e koalicionit qeverisës.

Një parti arabe, UAL, mund të jetë faktori përcaktues i zgjidhjes së ngërçit. Por, ata nuk i bashkon asnjë pikë e programit me Likud-in ose Yesh Atid-in.

Netanyahu është kreu i shtetit më jetëgjatë në historinë e shtetit hebre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore