Lajme

Izrael: Zgjedhjet e katërta në dy vjet


Izraelitët do të votojnë sot për herë të katërt në dy vjet, si pasojë e një ngërçi politik të paprecedent, i cili do të vërë përballë kreun e shtetit më jetëgjatë, Netanyahu, përballë disa kundërshtarëve.

Partia e Benjamin Netanyahu-t, Likud, është përpara në sondazhe, por parashikimet janë jo të besueshme për shkak të shumë votuesve të pavendosur.

Këtë herë, kryeministri izraelit shpreson që të marrë një votëbesim për menaxhimin e mirë të Covid-19. Izraeli po udhëheq botën me fushatën e vaksinimit. Rreth 60% e popullsisë kanë marrë të paktën një nga dy dozat e vaksinave ndaj coronavirus-it.

Vendi hebre ka filluar edhe rihapjen e avashtë, duke dhënë shenjat e para të përmirësimit të ekonomisë.

“Jemi kampionët e botës për menaxhimin e Covid-19”, i drejtohej Netanyahu turmave përpara datës së votimit.

Akordi i Abrahamit është një tjetër sukses i Netanyahu-t. Arritja e marrëveshjes midis Emirateve të Bashkuara Arabe, SHBA-së dhe Izraelit, më 13 gusht 2020, për normalizimin e marrëdhënieve midis këtij të fundit dhe vendeve arabe, u mirëprit gjerësisht nga populli izraelit.

Sipas sondazheve, Likud-i pritet të jetë parti e parë me 30-32 karrige në Parlamentin me 120 ulëse. Gjithsesi, ai sërish duhet të bëjë negociata për koalicion me parti të tjera për të arritur shumicën.

Zgjidhja e preferuar për kryeministrin në detyrë është një koalicion tërësisht i djathtë. Mbi të gjitha, me aleatët e tij të kahershëm ultra-Ortodoks.

Pavarësisht faktit se shumë izraelitë kanë bërë thirrje për largimin e Netanyah-ut, kryesisht për shkak të përfoljes mbi disa skandale korruptive, popullariteti i tij mbetet i lartë.

Alternativat

Një ish-ministër i Financave dhe prezantues televiziv, Yair Lapid, është kundërshtari kryesor i Netanyahu-t. Lapid shpreson që me partinë e tij, Yesh Atid, të bëhet një forcë domethënëse në zgjedhjet izraelite. Por, për të arritur aty, partia e qendrës duhet të krijojë aleanca me forca nga sprektre të tjerë.

Të gjitha opsionet, nga parlamentarët arabë tek nacionalistët e të djathtës së skajshme, janë opsione të mundshme koalicioni. Këtu, përfshihet edhe ish-aleati i Netanyahu-t, Avigdot Lieberman.

Lapid-i e mori kreun e opozitës nga Benny Gantz. Ky i fundit është një ish-komandant ushtarak, i cili zhvilloi luftën politike kundër Netanyahu-t në tre zgjedhjet e fundit. Gjithsesi, për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme, ai e humbi mbështetjen e bashkimit opozitar.

Në zgjedhjet izraelite, mbi 6.3 milionë votues janë të regjistruar për të votuar.

Zona e West Bank ndërkohë, ku jetojnë mbi 2.5 milionë palestinezë, nuk do të kenë mundësi të votojnë edhe pse jetojnë në territorin e Izraelit.

Pavarësisht efikasitetit me votimet, rezultatet përfundimtare zgjedhore do duan ditë për t’u shpallur. Pragu për t’u futur në Parlament është 3.25%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore