Kosova

Zëdhënësja e Putin-it: Stërvitjet e NATO-s në Kosovë janë një provokim


Maria Zakharova

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka deklaruar se “aktivitetet e NATO-s në Ballkan kanë për qëllim prishjen e rendit ndërkombëtar”, duke komentuar kështu stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2023”, ku Kosova është nikoqire.

“Këto aktivitete nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e deklaruara nga NATO – me lirinë dhe demokracinë. Duke u shtirur për të forcuar në mënyrë të rreme sigurinë rajonale, SHBA-të, si dhe aleatët e saj, po minojnë qëllimisht stabilitetin në atë pjesë të Evropës, duke thelluar linjat që çojnë në ndarje dhe thjesht, gjithnjë e më shumë e shtyjnë popullatën në një gjendje nervozizmi për shkak të kërcënimeve të jashtme të imponuara”, pretendon Zakharova, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”.

“Nuk është vetëm një provokim antiserb, por edhe një diversion kundër bazave themelore për rregullimin e çështjes së Kosovës”, vazhdoi ajo.

Ndërkaq, Zakharova, potencoi se askush nga Perëndimi, “i cili zbaton politika neo-koloniale, nuk do të pengojë Rusinë, Serbinë dhe Republikën Srpska të zhvillojnë bashkëpunim reciprokisht të dobishëm dhe të kontribuojnë së bashku në forcimin e paqen dhe stabilitetin në Ballkan”.

“Ne e dimë se sa përpjekje po bën Perëndimi për të detyruar miqtë tanë serbë të heqin dorë nga bashkëpunimi me Rusinë. Presioni i ushtruar ndaj tyre është i paprecedentë, në kontekst historik kjo nuk është parë”, shtoi ajo.

Ndryshe, Kosova është nikoqire e stërvitjes më të madhe ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe 2023”, që ka filluar të dielën e 21 majit.

Kjo stërvitje e përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s bëhet çdo vit, në shkallë të gjerë dhe drejtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga kjo stërvitje e përbashkët, shtetet krijojnë gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë mes SHBA-ve, NATO-s dhe vendeve aleate.

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e hapjes së stërvitjes më të madhe ushtarake ndërkombëtare “Defender Europe 2023”, theksoi se ky ushtrim për zhvillohet 15 muaj pas invazionit rus në Ukrainë, prandaj sipas tij, “përgatitja për t’u përballur me kërcënimet e njohura dhe ato të paparashikueshme është e domosdoshme”.

“Defender Europe 2021” ishte më pak se një vit para se Rusia të shpërfaqë në mënyrën më agresive e brutale synimet e saj për t’u shtrirë dhunshëm në thellësi të Evropës. Përgatitja për t’u përballur me kërcënime është e domosdoshme”, tha Kurti.

“Siguria e Evropës është synim i yni si shtet që beson në atë që e do. Të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjin”.

Ai ka potencuar se FSK-ja në këtë ushtrim radhitet e katërta në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrësve sa i përket numrit të personelit.

“Edhe ky togfjalëshi ‘stronger together’, bashkë më të fortë, është veçse variacion e jehonë e thënies së famshme të kryeheroit tonë Skënderbeut, bashkimi bën fuqinë. Demokracia, shoqëria, e vlerat njerëzore kanë nevojë më shumë se kurrë për ushtrinë. Sepse, demokracia është sistemi më i brishtë, sepse është sistemi më i hapur”, shtoi ai.

“Duke mos i harruar mësimet nga historia jonë kombëtar dhe ajo e mbarë njerëzimit, të jemi të bashkuar me vullnet e disiplinë më të lartë në zhvillimin e përmbylljen me sukses të këtij ushtrimi kaq të rëndësishëm për gjithë ne”, potencoi Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore