Lajme

Zëdhënësi i BE-së: Marrëveshja mbi Propozimin Evropian s’ka njohje de facto, qëllimi i dialogut s’është njohja


Foto nga AP

Një gazetar në konferencë për media e ka pyetur zëdhënësin e Bashkimit Evropian se me Marrëveshjen e mbështetur në propozimin franko-gjerman a është arritur njohja de facto për Kosovën nga Serbia.

Përgjigja e Peter Stanos ka qenë e shkurtër dhe e prerë.

Jo”, tha Stano.

“Përgjigja e shkurtër është jo”.

Madje, njohja s’është as qëllimi pohoi ai.

“Qëllimi i dialogut nuk është njohja, objektivi i dialogut është normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe sa i takon përmbajtjes së normalizimit është e vendosur nga dy palët”.

“Pra u takon atyre, BE-ja është ndërmjetës, ne nuk e diktojmë çfarë do të bëjnë dhe si, por po i ndihmojmë me maturinë evropiane dhe kompromisin evropian, por objektivi dhe mandati jonë është që të arrijnë marrëveshjen finale gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizim të raporteve”.

Kosova dhe Serbia të hënën, sipas shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian apo gjerësisht i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, që tash e tutje do të quhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parasheh njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se takimi i 27 shkurtit ishte konstruktiv dhe se sipas tij në takim u konfirmua se propozimi është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm.

Kurti ndër të tjera konfirmoi se pala serbe nuk ishte e gatshme të nënshkruante marrëveshjen, ndërsa ai po.

Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndryshe nga Kurti deklaroi se takimi nuk kishte të bënte me pranimin apo mospranimin e propozimit, por fillimin e implementimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Kam insistuar që Kosova ta themelojë Asociacionin, Kurti ka refuzuar. Nuk mendoj se Kurti ishte gati ta pranonte këtë tani. Ne do të shohim nëse do të ndodh në të ardhmen. Shpresoj se është e mundur të arrijmë ndonjë lloj kompromisi, por kam frikë se do të ngecim në diçka që është nënshkruar shumë kohë më parë dhe është dashur të zbatohet”, tha Vuçiç.

Disa orë pas përfundimit të takimit në Bruksel, BE-ja publikoi për herë të parë tekstin e plotë të propozimit për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky propozim ka 11 nene, që synim kryesor ka të arrihet marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë, mbi bazë të drejtave të barabarta.

Propozimi synon që palët të respektojnë të drejtat sovrane të njëra-tjetrës, pavarësinë, autonominë, sovranitetin, integritetin territorial, të drejtën e vetëvendosjes dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimit.

Aty po ashtu parashihet njohja e simboleve dhe dokumenteve relevante, që do të mundësonin qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Sa u përket të drejtave të komunitetit serb në Kosovë propozimi parasheh mbrojtjen e tyre.

Po ashtu thuhet se duke pasur për bazë instrumentet e Këshillit Evropian dhe përvojat ekzistuese evropiane, palët do të përkushtohen që ky komunitet të ketë një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit në Kosovë, si dhe të gëzojë të drejtën e ndihmës financiare nga Serbia.

Po ashtu, me këtë propozim, palët pajtohen që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara të cilat janë derivat e dialogut.

Stano: Marrëveshja është arritur, kemi pajtim edhe për implementim

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore