Zgjedhjet në Shqipëri

Yuri Kim takon Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela: Askush nuk është mbi ligjin


“Tani u takova me Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela”

Kështu u shpreh ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter.

Nuk dihen ende detajet se çfarë u diskutua në takim.

Kim bëri me dije se po pret të takojë së shpejti kreun e SPAK-ut Arben Kraja.

“Ndërsa të hënën u takova me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu”.

Takimi i ambasadores ka ardhur për shkak të ngjarjeve se po trondisin Shqipërinë gjatë javës së fundit të fushatës elektorale.

“Ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe duhet të ndiqen plotësisht. Asnjë trajtim i veçantë. Pa përjashtime. Askush nuk është mbi ligjin”, e mbyll Kim postimin.

Çfarë ndodhi këtë javë?

Kjo është java e fundit e fushatë elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Kavaja u trondit mbrëmjen e 19 prillit, ku në ambientet e brendshme të zyrës elektorale të Partisë Demokratike (PD), ka hyrë personi me iniciale N.J. dhe ka plagosur sekretarin e PD-së.

Ngjarja nxiti edhe reagimin e partive politike ku nuk munguan akuzat për njëra tjetrën.

Po ashtu më 21 prill, nga një përplasje me armë në Elbasan mbeti i vdekur Pjerin Xhuvani dhe u plagosën katër shtetas të tjerë.

Arbër Paplekaj, ish-punonjës i forcave RENEA dhe shoqërues i kandidatit demokrat për deputet në Elbasan, Gazment Bardhi, qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan. Katër të tjerë u plagosën në ngjarje, ndër të cilat një efektive e forcave “Shqiponja”.

Gjithë Shqipëria i ktheu sytë nga kjo ngjarje e rëndë, duke zhvendosur edhe vëmendjen e fushatës zgjedhore.

Autori është vënë nën pranga pak pas ngjarjes, ku është shoqëruar në komisariat. Deklarata e tij ka qenë se “sulmi ka ndodhur për vetëmbrojtje”.

Mbi 20 persona janë shoqëruar drejt komisariatit. Ndër ta, dy kandidatë demokratë: Gazment Bardhi dhe Luçiano Boçi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore