Lajme

Weber: S’mund të ketë zbatim të marrëveshjeve pa kthimin e serbëve në institucione


Eksperti për Ballkanin dhe bashkëpuntor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizmit në Berlin, Bodo Weber.

Eksperti për Ballkanin dhe bashkëpuntor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizmit në Berlin, Bodo Weber, konsideron se Kosova dhe Serbia do të kenë vështirësi ta zbatojnë marrëveshjen e arritur në Bruksel me situatën që është aktualisht në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Sipas tij, ka qenë gabim kur është arritur marrëveshja mes dy shteteve në fillim të vitit, pasi shumica e serbëve të Kosovës u dorëhoqën nga institucionet nga nëntori i vitit 2022 dhe akoma nuk ka asnjë plan për rikthimin e tyre.

“Pa u zgjidhur kjo çështje, mendoj se nuk do të shohim zbatim të marrëveshjes bazë dhe kjo është ajo që po shohim, jo vetëm nga (Marrëveshja e)Brukselit, por edhe nga marrëveshja për Aneksin e Zbatimit në Ohër”, tha Weber për Radio Evropën e Lirë.

Për propozimin e “draft-vizionit” nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ai thotë se problemi nuk qëndron te një model apo tjetër i Asociacionit, por tek i gjithë koncepti i një bashkimi një-etnik me rrezik të keqpërdorimit nga Serbia.

“Kjo është sfida që nuk mund të zgjidhet nga asnjë model. Pra, duhet të gjendet një rrugë e mesme në mes të implementimit të kësaj ideje (të Asociacionit), por duke e bërë në diçka që mundet në të vërtetë të forcojë qeverisjen lokale, por edhe diçka që nuk ndërtohet në një formë që në të ardhmen mund të përdoret si një vegël për Serbinë që të përzihet në çështje të brendshme të Kosovës”, thotë ai.

Më 7 nëntor, pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, janë larguar edhe gjykatësit dhe prokurorët serbë.

Largimi më i bujshëm është ai i rreth 400 policëve serbë të Kosovës në veri.

Dorëheqja e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës në nivel politik dhe administrativ, erdhi meqë Qeveria fillojë implementimin e sekuencuar të vendimit për qortimin dhe gjobitjen e atyre që bartin targa ilegale të prodhuara në Serbi.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia, janë duke diskutuar për çështjen e themelimit të një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova dhe Serbia më herët gjatë këtij viti kanë arritur Marrëveshjen e Ohrit, që veç tjerash parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog, që kur procesi ka nisur më 2011.

Në të përfshihen edhe dy marrëveshjet për Asociacionin.

Kurse më 2013 dhe 2015, palët kishin arritur marrëveshje për Asociacionin, por, më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, duke shtuar se marrëveshja mund të harmonizohet me ligjet në fuqi.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë synon normalizimin e plotë të raporteve.

Kërkesa e Kosovës është që procesi të përmbyllet me një marrëveshje që do të përfshinte njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia është shprehur se dëshiron një zgjidhje kompromisi – pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore