Lajme

Edhe gjyqtarët serbë largohen nga institucionet e Kosovës


Gjyqtarët serbë gjatë largimit nga institucionet e Kosovës.

Pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, janë larguar edhe gjykatësit dhe prokurorët serbë.

Pas largimit, gjyqtari i Apelit në Prishtinë, Nikola Kabasiç, ka thënë për mediat se më nuk kthehet në detyrë.

“Po e bëjë atë që e kam paralajmëruar para dy ditësh. Gjykatësit që dje nuk arritën t’i dorëzojnë dorëheqjet e tyre te Këshilli Gjyqësor i Kosovës, e kanë bërë përmes email-eve. Kolegët tanë shqiptarë dhe punonjësit e administratës qëndrojnë në punë dhe i gjithë stafi administrativ serb dhe gjyqtarët kanë dhënë dorëheqje”.

Ai ka shtuar se pjesa tjetër ju takon politikanëve.

“Tani po presim për mënyrën se si do t’ia bëjmë me lëndët që i kemi pasur dhe me pajisjet që i kemi huazuar nga zyrat. Jam duke folur për vetën, nuk do të kthehem. Pjesën tjetër ua lë politikanëve”, ka thënë gjyqtari Kabasiç.

Ndërsa, kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç u shpreh se lëndët që i kishin zyrtarët serbë, janë bartur te kolegët e tyre shqiptarë.

“Dje thashë gjithçka që kisha, dhe për sa i përket organizimit të punës, u morëm vesh me kolegët gjatë gjithë mëngjesit dhe bëmë një plan të mirë që të mos humbasim asnjë afat, që gjithçka të jetë në përputhje. Duhet te jete”.

Serbet duke u larguar nga policia

“Kolegët tanë shqiptarë kanë marrë përsipër lëndët tona, lëndë që janë të natyrës urgjente dhe mendoj se për momentin kanë problem të madh se si ta organizojnë të gjitha”, tha ajo.

Largimi më i bujshëm është ai i rreth 400 policëve serbë të Kosovës në veri.

Ata tashmë kanë dorëzuar uniformat dhe besohet se janë në proces të dorëzimit të armëve dhe pajisjeve të tjera policore.Largimi nga institucionet u njoftua të shtunën, pasi, siç u tha, nuk u tolerua dot suspendimi i komandantit të policisë atje, Nenad Gjuriç, i cili refuzoi fillimisht të zbatonte vendimin për masën e përshkallëzuar me vendim të qeverisë në raport me targat ilegale.Kurse të dielën, Lista Serbe ka organizuar një tub ku, sipas tyre, kishte pjesëmarrje prej 10 mijë personave.

Ata, për t’u rikthyer në institucione duan t’u plotësohen dy kushte: ndalimi i masës së qortimit nga policia dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Qeveria.

Po ashtu rreth 400 vende të lëna bosh pas largimit të serbëve nga Policia e Kosovës, tashmë janë zëvendësuar nga policë të komunave të tjera.

Albanian Post nga burime brenda policisë merre vesh se nëpër të gjitha komunat veriore ku ishte krijuar zbrazëtira, janë dërguar policë nga qytetet tjera dhe si përforcim kanë edhe policë të Njësiteve Speciale.

Këta policë do të zëvendësohen me turne, deri në një vendim të radhës që e zgjidh çështjen përhershëm.

Gjithashtu, njësitet speciale do të vazhdojnë të qëndrojnë si përforcime për një kohë, deri në një vendim të ri.

Edhe vendimi i përshkallëzuar për targat ilegale po vazhdon.

Masa e qortimit, që është faza e parë, deri me 21 nëntor, kur pritet të fillojë ajo e gjobës për 150 euro për të gjithë ata që bartin tabela ilegale të prodhuara në Serbi me inicialet e qyteteve të Kosovës, si “KM”, “GL” e të tjera, po vazhdon të lëshohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore