Shqipëria

“Vullneti i shqiptarëve u tjetërsua”


“Më 25 prill, vullneti i shqiptarëve u tjetërsua”.

Kështu e ka komentuar kryedemokrati Lulzim Basha raportin përfundimtar të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), mbi zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Shqipëri.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Basha liston disa prej konkluzioneve nga raporti.

Mirëpo, në tërësi, raporti përmend se zgjedhjet kanë qenë të mirëorganizuara. Rekomandimet janë përqendruar në përmirësimin e legjislaturës për sa i përket zgjedhjeve dhe garantim të lirisë dhe autonomisë së votimit.

Sipas Bashës, konkluzionet e raportit, janë tërësisht indicie të tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve.

Blerja masive e votave, presioni ndaj votuesve, keqpërdorimi i administratës, përdorimi i fondeve për të orientuar votën apo i grupeve kriminale, si edhe vjedhja e të dhënave personale të votuesve, janë pikat më thelbësore për Bashën.

“E përmbledhur me dy fjalë: Masakër Zgjedhore!”, shkruan ai në përmbyllje të postimit.

Kryedemokrati ravijëzon po ashtu se 25 prilli, nuk kishte lidhje me demokracinë apo zgjedhjet e lira.

Masakra zgjedhore ka qenë një ndër kryefjalët e Bashës pas humbjes së 25 prillit përballë rivalit të tij, Edi Rama.

Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet me 74 karrige kuvendore të marra. Demokratët shënuar rritje në mandate krahasuar me zgjedhjet e 2017-ës, por nuk arritën të ndalonin fitoren e tretë radhazi të socialistëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore