Lajme

Vuçiç thur elozhe për Orban e kryediplomatin hungarez i cili deklaroi se s’do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në BE


Viktor Orban, Aleksandër Vuçiç dhe Peter Szijarto

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të shtunën në Beograd ka takuar kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Peter Szijarto.

Vuçiç përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook e thurur elozhe për kryeministrin dhe ministrin hungarez, duke i cilësuar dy këta si miq të cilët të gjinden pranë në kohë të vështira.

“Miqësitë ndërtohen për një kohë të gjatë dhe me kujdes, ato forcohen në kohë të vështira, dhe ato reale janë të çmuara pikërisht sepse janë jashtëzakonisht të rralla, sidomos në politik dhe sidomos në ditët e sotme”, ka shkruar fillimisht Vuçiç në Facebook.

Ai më tej ka bërë të ditur se me Orban e Szijarto, kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në gjeopolitik për vlerësimet, planet, projektet e reja dhe për bashkëpunimin në të ardhmen.

Në janar të këtij viti, kryediplomati hungarez gjatë një konference për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, kishte bërë të ditur se Hungaria në këtë fazë nuk do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat e BE-së, derisa Kosova dhe Serbia nuk normalizojnë marrëdhëniet e tyre përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Andreas Ernst, në një editorial të botuar në gazetën gjermane, Neue Zürcher Zeitung, duke analizuar marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Hungarisë, konkludonte se raportet gjithnjë e më të mira midis Beogradit dhe Budapestit mbështeten në një sistem të ngjashëm qeverisjeje.

Lufta në Ukrainë, sipas gazetarit Ernst, kishte forcuar edhe më shumë aleancën në mes të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban.

Emëruesi i përbashkët i Vuçiç’it dhe Orbanit, sipas Ernst, ishte qëndrimi i ngjashëm që kanë të dy vendet ndaj Moskës.

“Por, ajo që i bën Orban dhe Vuçiç miq të vërtetë politikë është sistemi i qeverisjes që ata ndajnë. Orban është mësuesi i Vuçiç’it ky i fundit ka filluar të kopjojë me njëfarë suksesi sistemin hungarez”, vlerësonte gazetari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore