Lajme

“Orban është mësuesi i Vuçiç’it”


Viktor Orban dhe Aleksandër Vuçiç

Marrëdhëniet gjithnjë e më të mira midis Beogradit dhe Budapestit mbështeten në një sistem të ngjashëm qeverisjeje, shkruan gazetar gjermane Neue Zürcher Zeitung.

Lufta në Ukrainë, sipas gazetës në fjalë, ka forcuar edhe më shumë aleancën në mes të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban.

Kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë muajit dhjetor dorëzoi dokumentacionin e nevojshëm për aplikim për anëtarësim në Bashkimin Evropian, asnjë nga pesë shtetet anëtare të Unionit të cilët nuk e kanë njohur Kosovën nuk kanë shprehur kundërshtinë, mirëpo Hungaria po, kujton gazeta gjermane.

Shefi i diplomacisë së Hungarisë, Peter Szijarot, tha se nxitimi i Kosovës për anëtarësim në BE mund të pengojë një zgjidhje kompromisi midis Kosovës dhe Serbisë, dhe mu për këtë arsye ai bëri të ditur se nëse është e nevojshme Hungaria në këtë fazë mund të vërë veton ndaj aplikimit të Kosovës në BE.

Beogradi dhe Budapesti, siç shkruan gazeta gjermane, kanë pasur marrëdhënie të mira ndër vite dhe lufta në Ukrainë i ka bërë aleatë të vërtet Viktor Orban dhe Aleksandër Vuçiç.

“Ajo miqësi nuk bazohet në marrëdhënie tradicionalisht të mira, përkundrazi”, shkruan gazeta, duke kujtuar rezultatin e Luftës së Parë Botërore, kur Vojvodina iu aneksua Serbisë.

Sot, shumica e hungarezëve të Vojvodinës kanë shtetësi të dyfishtë dhe shoqatat e tyre marrin subvencione masive nga Budapesti.

“Kjo nuk e shqetëson Beogradin. Sepse bashkë me këtë vjen edhe mesazhi i Orbanit për hungarezët e Vojvodinës për të mbështetur Partinë Progresive Serbe të Vuçiç’it”, shkruan më tej gazeta.

Sipas autorit të tekstit, Andreas Ernst, pas marrëdhënieve asnjëherë më të mira fshihet një qëndrim i ngjashëm që kanë të dy vendet ndaj Moskës.

“Ata po përpiqen të shpëtojnë sa më shumë nga marrëdhënia fitimprurëse me Moskën, por në mënyrë të tillë që të mos prishin plotësisht marrëdhëniet me BE-në. Kjo ecje në litar është dukshëm më e vështirë për Hungarinë si anëtare e BE-së, sesa për Serbinë si një kandidate me shanse të pasigurta për t’u anëtarësuar në Union”, shton Ernst.

“Por, ajo që i bën Orban dhe Vuçiç miq të vërtetë politikë është sistemi i qeverisjes që ata ndajnë. Orban është mësuesi i Vuçiç’it ky i fundit ka filluar të kopjojë me njëfarë suksesi sistemin hungarez”, vlerëson gazeta zvicerane.

Gazetari gjerman shton se deficitet demokratike në vendet ish-socialiste janë parë prej kohësh si një “sëmundje” që mund të kapërcehet me ndihmën e BE-së dhe reformat.

“Në Hungari dhe Serbi zgjedhjet organizohen rregullisht, por aparati shtetëror kujdeset që gara të vendoset pothuajse paraprakisht. Administrata publike punon drejtpërdrejt për të mirën e partisë në pushtet. Pushteti ekzekutiv ndërhyn në sistemin mediatik duke caktuar frekuenca dhe bashkëfinancim, derisa shumica e mediave përcjellin vetëm qëndrimin e qeverisë”.

“Partia e Orbanit dhe ajo e Vuçiç’it janë gjithashtu të afërm idelogjikisht.  Ata pretendojnë se kombet e tyre kërcënohen nga botëkuptimet perëndimore”.

Tandemi në mes të Hungarisë dhe Serbisë, sipas gazetës është unik në Evropë për politikën e jashtme pro-ruse dhe modelin jo-liberal të qeverisjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore