Lajme

Vuçiç për median italiane: Besoj se i kemi kaluar momentet kritike, shpresoj të fillojmë dialogun


Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një prononcim për agjencinë italiane të lajmeve, tha se situata e tensionuar në veri të Kosovës dhe momentet kritike janë tejkaluar tashmë, teksa shprehu gatishmërinë për rifillimin e dialogut me kryeministrin Albin Kurti, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Kishte disa momente kritike gjatë dhjetorit në veri të Kosovës, tani shpresoj që ajo situatë të tejkalohet dhe të fillojë dialogu me homologun shqiptar (Albin Kurti) për çështjet që do të trajtohen nën kujdesin e mirë të BE-së dhe shpresoj që ne do të jemi në gjendje të ruajmë stabilitetin dhe paqen në rajon”, tha Vuçiç.

Ndërkaq, ai hodhi poshtë si “të pavërteta” raportimet se grupi paraushtrak rus “Wagner’s” ka rekrutuar ushtarë nga radhët e qytetarëve serbë për të luftuar në Ukrainë.

“Nuk është e vërtetë që Rusia po angazhon shtetas serbë për të luftuar në Ukrainë, sepse ne nuk e lejojmë atë, është e ndaluar në vendin tonë dhe nuk përputhet me ligjet tona”, shtoi ai.

Presidenti serb këto deklarata i dha në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës ndërsa të premten në Beograd do të takohet me përfaqësuesit e Gjermanisë, Francës, Shteteve të Bashkuara dhe Italisë dhe sigurisht, me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore