Kosova

Vuçiç dhe Bërnabiç do të takohen sërish me serbët e Kosovës


Ilustrim: Aleksandër Vuçiç dhe Lista Serbe

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka bërë të ditur se presidenti dhe kryeministrja e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Ana Bërnabiç, të enjten do të takohen me përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës.

Vuçiç dhe Bërnabiç në takim me përfaqësuesit politikë të Listës Serbe, sipas Petkoviç, do të diskutojnë propozime të caktuara.

“Ne do të diskutojmë konkluzionet politike që duhet të bëjmë. Do të shohim se si do të veprojmë në ditët në vijim. Do të kujdesemi që të mos rrezikojmë interesat tona, të ruajmë sigurinë e serbëve, të ruajmë paqen dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë për normalizimi, gjë që është pothuajse e pamundur me Albin Kurtin”, ka deklaruar Petkoviç, raporton mediumi serb, Danas.

Ndryshe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, pas një takimi me disa përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës, më 7 prill, kishte deklaruar se pas shtatë ditësh do të dalë me “konkluzionet e përbashkëta” në lidhje me zgjedhjet në Veri të Kosovës dhe “të gjitha ngjarjet e ardhshme”.

Vuçiç kishte përsëritur se përfaqësuesit serbë nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e shpallura për 23 prill, në katër komunat në Veri të Kosovës.

Vuçiç nuk kishte dhënë detaje nga takimi, duke thënë se konsultimet e radhës të ekipeve të Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve nga Kosova do të mbahen në Rashkë, në jug të Serbisë dhe më pas do të dalin me “platformë e përbashkët”.

Siç kishte deklaruar ai, platforma do të përfshijë masa të sigurisë, politike, ekonomike dhe sociale për popullatën serbe në Kosovë. Vuçiç nuk ka saktësuar se për çfarë masash bëhet fjalë.

Çfarë ndodhi?

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat e veriut të Kosovës po mbahen pasi kryetarët e komunave, nga radhët e Listës Serbe, dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar.

Këtë e bënë për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës, i cili më vonë u pezullua, duke u bazuar në një marrëveshjeje me Serbinë në kuadër të dialogut.

Lista Serbe, nuk u paraqit për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në Veri të Kosovës, deri në përfundimin e afatit, më 22 mars.

Ambasadorët e QUINT-it njoftuan më 24 mars se zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Veri të Kosovës janë në përputhje me ligjet, si dhe shprehën keqardhjen që Lista Serbe nuk e shfrytëzoi “të drejtën demokratike për të marrë pjesë në to”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore