Lajme

Vuçiç: Akoma s’e kam pyetur Gjuriçin se kur, ku dhe pse takoi Radoiçiçin


Aleksandër Vuçiç dhe Marko Gjuriç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke komentuar fotografinë e publikuar në rrjetet sociale ku shihet ambasadori serb në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Marko Gjuriç, duke darkuar me udhëheqësin e grupit paramilitar që kreu sulm terrorist në Kosovë, Millan Radoiçiç, tha se ende s’ka kërkuar llogari nga Gjuriçi “kur, ku dhe pse” takoi Radoiçiçin.

“Nuk e pyeta kur, ku dhe pse”, deklaroi shkurt presidenti serb të dielën, duke komentuar fotografinë kontraverse të ambasadorit serb dhe organizatorit të sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, i cili ndodhet në “listën e zezë” të SHBA-së për krim të organizuar dhe korrupsion.

Fotografia e Gjuriçit, i cili pritet të bëhet kryeministri i ardhshëm i Serbisë, në shoqërinë e kryekriminelit të kërkuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (INTERPOL), u publikua gjithandej rrjeteve sociale gjatë së dielës, duke shkaktuar reagime të forta në Kosovë dhe Serbi. Ende nuk është bërë e ditur se në çfarë periudhe është shkrepur fotografia në fjalë.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – pranoi publikisht përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin e 24 shtatorit. Megjithatë, ai dhe të tjerët që janë përgjegjës për terrorizmin e vitit të kaluar në territorin kosovar lëvizin lirshëm dhe nuk janë thirrur ende nga organet e drejtësisë në Serbi të japin përgjegjësi.

Gjuriç pasi iu publikua fotografia me terroristin Radojiçiç: S’kam turp – s’e kam ndërmend t’i kërkoj falje Kurtit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore