Lajme

Gjuriç pasi iu publikua fotografia me terroristin Radojiçiç: S’kam turp – s’e kam ndërmend t’i kërkoj falje Kurtit


Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriç, ka reaguar për fotografinë e publikuar në rrjetet sociale, ku shihet në një restorant duke darkuar së bashku me terroristin Milan Radojiçiç.

“Do të isha i zhgënjyer nëse nuk do të niste një fushatë negative me rastin e rikthimit tim të fundit. Nuk kam ndërmend t’i kërkoj falje Kurtit dhe Sveçlës apo boteve të tyre dhe njerëzve të tjerë keqdashës për asgjë”, ka shkruar Gjuriç në platformën X.

“Nuk i kam fshehur dhe as nuk kam turp asnjëherë nga kontaktet publike që kam në punën që bëj. Përveç përfaqësuesve të ndryshëm serbë me të cilët kam kontakte të rregullta dhe me të cilët dëshiroj të takohem edhe sot, jam takuar shumë herë, gjithashtu në kuadër të punës sime me udhëheqës të shumtë shqiptarë”, theksoi ai.

Ai ka akuzuar Qeverinë e Kosovës, meqë ka pretenduar se po ua shkelë të drejtat serbëve që jetojnë në Kosovë, derisa ka paralajmëruar rikthim në politikën ditore.

 

“Kurti dhe Sveçla shkelin brutalisht të drejtat elementare njerëzore të serbëve në Kosovë. Unë kam munguar në politikën ditore për një kohë të gjatë. Megjithatë, në të ardhmen e afërt i presin zhgënjime të mëdha. Po kthehem së shpejti”, potencoi ai.

Ndryshe, njohësi i zhvillimeve politike në Ballkan, Jakub Bielamowicz, ka publikuar një fotografi ku shihet terroristi Milan Radojiçiç i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, duke darkuar në një restorant së bashku me Gjuriç-in.

“Ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriç, i cili gjithashtu pritet të bëhet kryeministri i ardhshëm i Serbisë, shihet duke darkuar me Milan Radojiçiçin e kërkuar nga Interpoli dhe të sanksionuar nga SHBA, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të Serbisë Vuçiç, i cili qëndroi pas sulmit në Banjë që la një polic të Kosovës të vdekur”, shkroi Bielamowicz në platformën X.

Krimineli Milan Radojiçiç darkon me Gjuriçin?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore