Shqipëria

Vrasja e Ruzhdi Hoxhës, Gjykata lë në burg vëllezërit Rrushi


Gjykata e Tiranës të mërkurën e 10 nëntorit ka caktuar masën “arrest me burg” për Fredi Rrushin, i cili akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e shokut të tij, biznesmenit, Ruzhdi Hoxha.

Po të njëjtën masë ka marrë dhe për vëllain e tij, Pajtim Rrushi, i cili dyshohet se ndihmoi të vëllain që të fshihte trupin e pajetë në një greminë në Qafë Mollë, Dajt.

Pas mbylljes së hetimeve Prokuroria të hënën kërkoi dёnim me burg pёr autorin e dyshuar dhe vёllain e tij.

Sipas policisë, Pajtim Rrushi dyshohet se ka fshehur makinën që u përdor në krim. Megjithatë, flitet se nuk është hera e parë që i akuzuari si bashkëpunëtor përfundon në dyert e policisë.

Ndërsa Fredi Rrushi është arrestuar më 26 tetor 2021 nga policia e Tiranës, si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve.

Ky shtetas dyshohet edhe si porositësi dhe organizatori i kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Ballenj, më 31 tetor, ku u vunë në pranga shtetasit A. D dhe G. K.

Nga ekspertiza paraprake ka rezultuar se shtetasi Ruzhdi Hoxha është vrarë me armë zjarri.

Çfarë ka ndodhur deri më tani?

Forcat RENEA pasditen e 6 nëntorit kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë të biznesmenit Ruzhdi Hoxha.

Ai u gjet i pajetë në Qafë-Mollë, Dajt, në një greminë, i mbuluar më zhavorr dhe gurë mesditën e së shtunës.

Pamje nga vendi i ngjarjes pas nxjerrjes nga gremina të trupit të pajetë të Hoxhës.

Trupi i pajetë gjendet në morgun e spitalit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.

Pas një pune 10 ditore të bërë nga grupi hetimor u bë e mundur grumbullimi i provave për autorësinë e kësaj ngjarje dhe mesditën e 6 nëntorit u gjet një xhup, i cili rezultoi se i përkiste Hoxhës.

Nga informacionet paraprake në trupin e tij u gjetë shenja dhune.

43-vjeçari, pronar i një biznesi inertesh në Kamëz kishte humbur kontaktet prej 14 ditësh me familjarët.

Djali i Ruzhdi Hoxhës ka denoncuar në polici rastin më 24 tetor, ndërsa një ditë më pas është shoqëruar në polici miku i të humburit, Fredi Rrushi.

Kjo pasi ai ishte personi i fundit me të cilin Hoxha kishte pasur kontakt.

Rrushi ka deklaruar në Komisariat se për herë të fundit e ka takuar në zonën e Mëzezit.

Dy pistat kryesore ku po hetonte policia ishte ajo e rrëmbimit sepse kohët e fundit ai kishte shumë probleme me bizneset dhe ishte i zhytur në borxhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore