Shqipëria

Vrasja e Ruzhdi Hoxhës/ Prokuroria kërkon burg për autorin e dyshuar dhe vëllain e tij


Prokuroria ka kёrkuar dёnim me burg pёr autorin e dyshuar dhe vёllain e tij, pas hetimeve për vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha, i cili u gjet i pajetë dhe i mbuluar me zhavorr në një humnerë, në Qafë Mollë në Dajt.

Ferdinand Rrushi akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e 43-vjeçarit Hoxha. Për vёllain e tij, Pajtim Rushi, pretendohet se e ka ndihmuar atё nё fshehjen e kufomës dhe akuzohet si bashkëpunëtor në vrasje.

Sipas policisë, P.R. dyshohet se ka fshehur makinën që u përdor në krim. Megjithatë, flitet se nuk është hera e parë që i akuzuari si bashkëpunëtor përfundon në dyert e policisë.

Më 26 tetor 2021, ai u arrestua nga policia e Tiranës, si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve.

Ky shtetas dyshohet edhe si porositësi dhe organizatori i kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Ballenj, më 31 tetor, ku u vunë në pranga shtetasit A. D dhe G. K.

Çfarë ka ndodhur deri më tani?

Ekspertiza paraprake tregoi se shtetasi Ruzhdi Hoxha u vra me armë zjarri.

Forcat RENEA pasditen e 6 nëntorit kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë të biznesmenit Ruzhdi Hoxha.

Ai u gjet i pajetë në Qafë-Mollë, Dajt, në një greminë, i mbuluar me zhavorr dhe gurë mesditën e së shtunës.

Trupi i pajetë u dërgua në morgun e spitalit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.

Pas një pune 10-ditore të bërë nga grupi hetimor, u bë e mundur grumbullimi i provave për autorësinë e kësaj ngjarjeje dhe mesditën e djeshme u gjet një xhup, i cili rezultoi se i përkiste Hoxhës.

Nga informacionet paraprake në trupin e tij u gjetën shenja dhune.

43-vjeçari, pronar i një biznesi inertesh në Kamëz, kishte humbur kontaktet prej 14 ditësh me familjarët.

Djali i Ruzhdi Hoxhës ka denoncuar në polici rastin më 24 tetor, ndërsa një ditë më pas është shoqëruar në polici miku i të humburit, Fredi Rrushi.

Kjo, pasi ai ishte personi i fundit me të cilin Hoxha kishte pasur kontakt.

F.R., kishte deklaruar në Komisariat se, për herë të fundit, e ka takuar në zonën e Mëzezit.

Dy pistat kryesore ku po hetonte policia ishte ajo e rrëmbimit, sepse kohët e fundit ai kishte shumë probleme me bizneset dhe ishte i zhytur në borxhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore