Zgjedhjet në Kosovë

Voton Arben Vitia: Sot vendoset fati i kryeqytetit


Kandidati për kryetarë të komunës së Prishtinës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia

Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Pas procesit të votimit, Vitia ka theksuar se në këtë ditë vendoset fati i kryeqytetit, andaj ka bërë thirrje drejt qytetarëve që të dalin të shfrytëzojnë të drejtën e votës, për të forcuar demokracinë.

“Sapo e shfrytëzova te drejtën e votës. Dita e zgjedhjeve është thelbësore për demokracinë dhe shtetin tonë. Sot vendoset fati i kryeqytetit tonë ndaj është shumë e rëndësishme që secili të marrë pjesë në këtë proces të votimit prandaj bej ftesë që masivisht të gjithë qytetarët të dalin në këto zgjedhje, të forcojnë demokracinë e të japim shembull të demokracisë ashtu siç kemi dhënë në këto vite e kaluara”, është shprehur Vitia.

Komuna me më së shumti votues është ajo e Prishtinës, me gjithsejtë 195 mijë e 978 votues, ku ka 52 qendra të votimit me 238 vendvotime.

Në garë për kryeqytetin janë kandidati i LVV-së Arben Vitia dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama.

Vitia në raundin e parë kishte marrë gjithsejtë 36 mijë e 818 vota apo 42,54 për qind, kurse Përparim Rama, 25 mijë e 252 vota apo 29,17 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore