Sport

Vjosa Osmani pret xhudistët e Kosovës në takimin e parë zyrtar si presidente


Në takimin e parë zyrtar si presidente e Kosovës, Vjosa Osmani zgjodhi që t’i pret pikërisht ata që e kanë bërë më së shumti krenar shtetin e Kosovës, në këto vitet e fundit.

Në kabinetin e presidencës, Osmani ka pritur xhudistët kampionë të Kosovës, në krye me trajnerin e tyre, Driton Kukën.

Ajo ka thënë se pikërisht xhudistët janë ambasadorë të Kosovës, pasi që ata i sollën shumë medalje shtetit tonë, nga vendet e ndryshme të botës, ajo gjithashtu tha se përmes xhudistëve, shteti i Kosovës ka bërë histori.

“Për mua ka qenë shumë me rendësi si presidente e sapo zgjedhur e vendit që takimin e parë ta mbajë me ata qe kanë qenë ambasadorët më të mirë dhe më të suksesshëm të shtetit tonë në kohën kur edhe politika ka dështuar edhe diplomacia ka dështuar, kanë qenë Majlinda, Nora, Distria dhe xhudistet e tjera që bashkë me trajnerët që na kanë bërë zemrën mal por mbi te gjitha e kanë nderuar shtetin tonë, e kanë lartësuar flamurin e Republikës së Kosovës dhe e kanë nderuar shtetin e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme madje edhe në shtet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën”, tha fillimisht Vjosa Osmani.

Osmani tha se përkrahja nga shteti është e nevojshme për sportistët e Kosovës, të cilët me sukseset e tyre e nderojnë vendin dhe popullin.

“Jam e bindur që sukseset e tyre nuk do të mungojnë, por është e domosdoshme që shteti të qëndrojë pranë tyre, t’i përkrah në mënyrën më të mirë të mundshme, e mbi të gjitha ta shohim qe flamuri ynë të valojë lart e më lartë, nëpërmjet fitoreve e sukseseve të tyre të njëpasnjëshme”, shtoi ajo.

Ndërsa kampionja e shumëfishtë e xhudos, Majlinda Kelmendi tha se shpreson që Osmani si presidente të jetë aty ku kanë nevojë, gjithashtu ajo shpreson që presidentja të shkojë me sportistët, kur ata do t’i marrin sukseset me vete.

“Unë vetëm kisha dashtë me ju uru mbarësi në punë dhe sukses, po shpresoj dhe besoj shumë qe keni me qenë aty ku njerëzit kanë nevojë për ju. Po shpresoj shumë qe keni me qenë bashkë me ne në lojërat olimpike, jemi gjithsej pesë garuese dhe po besoj shumë të paktën një ose dy medalje t’i marrim dhe të jeni pjesë e suksesit tonë”, tha Majlinda Kelmendi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore