Lajme

Viti i ri shkollorë pritet të fillojë në shtator, rritet numri i personelit të vaksinuar


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se numri i mësimdhënëseve të interesuar për tu vaksinuar kundër COVID-19, gjatë dy javëve të fundit është rritur.

Sipas saj, numri i stafit arsimor të vaksinuar përfshirë ata në arsimin para universitar, në arsimin e lartë si dhe studentët, është 55 mijë e 94, derisa dy javë më parë kjo shifër ka qenë 29 mijë e 878.

Nagavci ka kërkuar që të vaksinohen të gjithë punëtorët e arsimit në Kosovë.

“Meqë jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe atij akademik, ftoj edhe njëherë të gjithë punëtorët e arsimit që të vaksinohen”, ka shkruar Nagavci në rrjetin social Facebook.

Ajo ka për synim që viti i ri shkollor të fillojë me prezencë fizike në shkolla.

“Ne jemi gati për fillimin e vitit të ri shkollor dhe atij akademik dhe po synojmë që ky proces të nis me prezencë fizike”.

Por, ka kërkuar që të plotësohen kushtet për të filluar procesi mësimor.

“Meqë jemi në situatë pandemie, paraprakisht duhet t’i plotësojmë kushtet për një fillim sa më të mbarë. Prandaj vaksinohuni”.

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku- Berdyna, ka thënë se do t’i përkrahin shkollat me maska me dezinfektues përmes kontratës që është në procedurë të përfundimit.

Kjo është bërë e ditur përmes një konferencë për media.

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku- Berdyna

Maloku- Berdyna, ka treguar se shpërndarja e teksteve në Drejtorit Komunale të Arsimit do të bëhet në dy faza.

“Faza e parë do të përfshi shpërndarjen e teksteve për klasat 1, 2, 4 , 5 dhe tekstet alternative për klasat 6, dhe 7.Ndërsa faza e dytë do të i përfshi klasat 3,7 dhe 8 për klasat 7 alternative ndërsa për klasat 3 dhe 8 të gjitha tekstet sipas kurikulës së re.Për këtë vit shkollorë do të shpërndahet edhe tekstet  shkollore të gjuhës Gjermane dhe Gjuhës Frënge për klasat 6, 7 dhe 8, 9”, u shpreh ajo.

Gjatë kësaj konferencë ka bërë të ditur se rreth 8 mijë kandidatë do të i nënshtrohen testit të maturës.

“Testi planifikohet të organizohet rreth 65 qendra të testimit, por kjo varet edhe nga numri i nxënësve që do ta paraqesin provimin si dhe nga përgatitjet e komunave”, ka deklaruar ajo.

Po ashtu gjatë procesit të mbajtjes së testit të maturës “do të angazhohen 200 komisioner, 130 mbikëqyrës, 65 vëzhgues si dhe 650 administratores”.

Kurse testi i maturës do të mbi këqyret nga Këshilli Rinorë Kosovarë, dhe rezultatet do të publikohen me 8 shtator.

Për shkelësit Këshilli Shtetëror i Maturës do të ndërmerr masa.

Java që po lëmë pas ka shënuar rekorde me infektime me COVID-19.

Dje janë regjistruar tetë vdekje dhe 2 mijë 236 raste të reja me COVID-19, që sipas Ministrisë së Shëndetësisë mbi 90 për qind e rasteve janë me variantin Delta.

Ndërsa sot kanë hyrë në fuqi masa të reja nga Qeveria, që u është ndaluar puna klubeve të natës dhe është ndaluar mbajtja e dasmave e ahengjeve nëpër restorante.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore