Kosova

Nga sot fuqizohen masat e reja anti-COVID në Kosovë


Nga e premtja e 20 gushtit, hyjnë në fuqi masat e reja kundër COVID19 në Kosovë.

Nga sot ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, dasmave, fejesave, ahengjeve të tjera familjare dhe mbrëmje të maturës.

“Hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambientet ku mbahen ahengjet e ndryshme, grumbullimet, tubimet masive si festivale, koncerte që kanë kapacitet mbi 100 persona dhe organizmi i tyre aktiviteteve lejohet vetëm nëse klientët posedojnë një nga dëshmitë si, certifikatën e vaksinimin të plotë ose marrjen e së paku një doze të vaksinës”, ka thënë Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, në një konferencë për medie të mbajtur para tetë ditësh.

Po ashtu të drejtë për të punuar dhe lëvizur do të kenë të gjithë personat që kanë dëshmi për “testin PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë, dëshmi se personi ka kaluar COVID-19, ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik IGG i lëshuar më së shumti para 30 ditëve, dhe në fund test të shpejtë antigjen negativ jo më të vjetër se 48 orë”.

Maska bëhet obligim për tu bartur gjatë gjithë kohës në ambiente të mbyllura.

“Bartja e maskës është obligative në të gjitha rastet përveç gjatë ecjes në ambient të jashtëm kur jemi vetëm, gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me një grup jo më shumë se katër persona, gjatë vrapimit, gjatë ngrënies ose pijes”, shtoi ai.

Këto masa do të jenë në fuqi deri më 1 shtator.

“Secili rekomandim i ri që vjen nga ekspertët në bazë të analizave të situatës epidemiologjike që do të bëhen, do të mund të ketë ndryshime edhe gjatë kësaj periudhe qoftë me masa shtesë apo përfshirje të sektorëve të tjerë në këto masa”, ka shtuar Vitia.

Ndëshkime ndaj atyre që s’respektojnë masat e reja anti-COVID

Pas masave të reja anti-COVID’19, Policia e Kosovës, ka njoftuar se do të tregohet shumë rigoroze në zbatimin e tyre.

Me anë të një njoftimi për media, forcat e rendit bëjnë të ditura se do ta plotësojnë planin operativ dhe “do t’ia përshtatim masave të ndërmarra”.

“Do të zbatojmë detyrat edhe obligimet ka karshi vendimeve dhe masave të ndërmarra në drejtim të luftimit të përhapjes së pandemisë”, thuhet në njoftim.

Para fillimit të këtij plani operativ të ri-freskuar me masat e reja, policia “kërkon nga qytetarët, nga institucionet, nga bizneset, që të respektojnë vendimet e fundit të marra nga qeveria e vendit”.

“Kërkojmë që bartja e maskës të bëhet në ato raste siç parashihen me vendimet e fundit në mënyrë që edhe një herë të arrijmë t’i ulim shifrat e të prekurve dhe të mbrojmë të gjithë së bashku shëndetin publik”, u tha në këtë njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore