Lajme

Veriu i “ngrirë”


Policia e Kosovës në afërsi të vendkalimit kufitarë Kosovë-Serbi, Jarinje

Veriu i vendit ani pse pjesë territoriale e Kosovës, që nga paslufta në vitin 1999 nuk ka qenë territor i kontrolluar dhe i administruar mirë nga Prishtina zyrtare. Kjo pjesë e Kosovës njihet si një vatër e nxehtë, me mundësi të shpejta të përshkallëzimit të situatës së sigurisë.

Institucionet e Serbisë ose siç njiheshin ndryshe si struktura paralele, për një kohë të gjatë kanë funksionuar nën këtë emër në këtë territor, përfshi edhe në pjesët e tjera të vendit.

Të njëjtat struktura paralele, por tani nën petkun e institucioneve lokale kosovare dhe nën petkun zyrtarëve qeveritarë janë ata që po mundohen me çdo kusht që institucionet e Kosovës të mos kenë kontroll dhe qasje në këtë territor.

Së fundi, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me tabelat serbe, menjëherë janë serbët lokal ata të cilët dolën dhe bllokuan rrugën në shenjë pakënaqësie me vendimin e Prishtinës.

Si përforcime në këto barrikada po u dalin në “ndihmë” edhe serbët e tjerë nga Graçanica, Shtërpca dhe vendet e tjera, por gjithashtu në “ndihmë” po u shkojnë edhe nga Serbia dhe Mali i Zi.

Vladislav Dajkoviç bashkë me protestuesit serb dhe në tendën e ngritur në afërsi të pikës kufitare në Jarinë

Ndërsa kryetarët serb të komunave të veriut të vendit, menjëherë janë aktivizuar duke ndihmuar protestuesit që barrikadat e tyre të “fuqizohen” duke vënë në dispozicion edhe kamion të kompanive komunale.

Po këta kryetarë dhe ministra në Qeverinë e Kosovës që janë nga Lista Serbe(LS) dyshohet se janë organizatorët e krejt këtij spektakli barrikadues.

Ata qëndrojnë atje thuajse tërë kohën së bashku me protestuesit. Madje sipas disa zyrtarëve të institucioneve serbe e që veprojnë në Kosovë, këta (kryetarët serb të komunave) janë ata të cilët i “detyrojnë” qytetarët të qëndrojnë aty, madje “detyrim” kanë edhe vet këta zyrtarë të Beogradit.

Rakiç ministër i Kurtit apo i Vuçiçit?

Por, kjo nuk është e tëra, ata (kryetarët) janë të pranishëm në barrikadat e vendosura. Gjithashtu, ministri për Komunitete dhe kthim, Goran Rakiç po qëndron pranë protestuesve.

Partia e Rakiçit (Lista Serbe) dhe vet ai, kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës t’i tërheq policët nga Bërnjak dhe nga Jarinje si dhe ta anuloj vendimin për tabelat dhe të kthehet gjendja në pikën zero.

Ata gjithashtu po tentojnë ta kushtëzojnë Prishtinën dhe me themelimin e Asociacionit të Komunave e shumicë serbe në Kosovë(ASK), duke thënë se barrikada hiqet kur themelohet asociacioni.

Goran Rakiç-Kryetar i Listës Serbe (LS) dhe Ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës

Ndërsa nëpër komunat ku i menaxhon Lista Serbe, janë duke u vendosur baner me mbishkrimin “Mirë se vini në Asociacionin e Komunave serbe”.

“Çuditërisht” të njëjtën kërkesë e ka edhe vet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Partia e Rakiçit po i raporton direkt presidentit serb.

Ndërsa kryeministri Kurti, në një deklarim për media të mërkurën tha se ministri i tij, Rakiç po “mundohet” ta mbaj situatën nën kontroll dhe se për këtë ka komunikim dhe informim nga ai.

“Me aq sa jam informuar unë dhe sa më ka informuar ministri, besoj që është përpjekur që situata të mos eskalojë të mos ketë veprime të dhunshme dhe nuk mendoj se duhet të marrë masa ndaj tij”, kishte thënë Kurti.

Reciprociteti i pritshëm

A ishte i pritshëm reciprociteti apo jo i tabelave të automjeteve me Serbinë dhe a ishte e analizuar mirëfilli kur duhet filluar të zbatohet një gjë e tillë, për Albanian Post ka folur politologu Florent Hajrizi.

Situata duhet parë nga prizmi pragmatik dhe ai politik konsideron ai.

Qeveria e Kosovës ka kohë që ka paralajmëruar reciprocitetit, ku edhe ky hap ishte në listën e masave që do merreshin.

“Andaj ka qenë e pritshme që të ndodhë, a është bërë në mënyrën e duhur, kohën e duhur, është çështje që duhet analizuar”.

Në aspektin politik hapi i tillë është i gabueshëm.

“Nga prizmi politik konsideroj që është bërë gabim, pasi që kryeministri Kurti gjithnjë ka trumbetuar dialogun e brendshëm me serbët lokal para dialogut me Serbinë”.

Tabelat e përkohshme RKS

Është dashur që të ketë një kampanjë vetëdijsuese lidhur me tabelat e “jo që popullata të gjendet në befasi se mbi të gjitha shteti nuk duhet të punoj me elementin e befasisë”, vlerëson ai.

Hajrizi thotë se ishte dëshmitarë i një paradoksi që ndodhte në Mitrovicë.

“Unë sot isha dëshmitar i dy realiteteve ku në jug të Mitrovicës veturat me tabela të Republikës së Serbisë ndaloheshin edhe pse kishin të vendosura në xhama tabelat e përkohshme të Kosovës, ndërsa në veri endeshin gjithandej vetura me tabela të Serbisë, por pa tabela të Kosovës, shtrohet pyetja çka është qëllimi, përgjigjja është thjeshtë kjo është patriotizëm politik”.

Florent Hajrizi-Politolog

Politologu Hajrizi konsideron se veprimi nuk është i gabuar, mirëpo “forma, koha dhe mënyra e implementimit të saj është jo adekuate në raport me rezultatin e synuar, pasi që siç edhe kemi parë, kemi rezistencë nga popullata serbe në veri, e të cilët padyshim janë të manipuluar nga Beogradi, andaj kjo qasje e Prishtinës duket se nuk e ka pas për qëllim të zgjidh problemin, por të thelloj atë, në kohën kur dy vendet po kalojnë në periudha parazgjedhore, dhe si duket që hapat për tregim të forcës janë kthyer ne betejë”.

Mirëpo, se a ka ndonjë rrezik që serbët lokal të asaj zone të krijojnë sërish barrikada tek Ura e Ibrit dhe në hyrje daljet tjera të rrugëve kryesore, në mënyrë që të bllokohet qarkullimi i mëtejmë i Policisë së Kosovës për në Jarinje dhe Brnjak, konsideron se qytetarët e zakonshëm serb janë të lodhur nga politika, mirëpo janë “strukturave kriminale që funksionojnë pa u prek nga dora e ligjit”.

Ai konsideron se në veri të Kosovës gjithçka është e organizuar nga strukturat kriminale.

“Gjithçka është e organizuar dhe orkestruar nga mafi e cila e ka kokën në Beograd. D.m.th. këto dyja janë të pa ndara dhe krejt varet se si do e kanalizoj politika në Beograd qasjen ndaj kësaj teme”.

“Mendoj që nuk do kemi bllokime se as Prishtina nuk e do këtë, as Beogradi, por kjo situatë lehtë mund të përdoret për të rritë kërkesat e liderëve serb (Listës Serbe) për të artikuluar kërkesat e tyre për themelim të Asociacionit, duke u thirrur mbi nevojën e administrimit të territorit komunal, andaj mbetet të shihet!”, vlerëson ai.

Kush fiton dhe kush humb nga bllokadat?

Po kush fiton nga bllokada, dhe kush humb në rast se ajo mbetet për një kohë më të gjatë, politologu Hajrizi konsideron se humbin të dy palët dhe se asnjëra nuk fiton.

“Këtu dallojnë pozicionet politike, por jo nevojat e qytetarëve, thjeshtë njerëzit duan të kenë një jetë normale dhe të lëvizin të lirë, andaj kur politika e Beogradit e kontrollon çdo aspekt të jetës në Veriun e Kosovës, padyshim që Beogradi duhet të mbahet përgjegjës për destabilizim potencial të situatës”.

Shërbimi serb dhe ai rus janë të pranishëm përmes një prezence “të kamufluar nën petkun e institucioneve joformale dhe atyre formale”, thotë ai.

Beogradi vazhdimisht mundohet që ndikimin e vet ta ushtroj përmes disa strukturave që janë mirë të stabilizuara brenda jetës së përditshme në Veri.

Këto struktura janë “Mediat, OJQ-të, dhe aktivist të ‘pavarur’ që vazhdimisht punojnë në prapavija për të krijuar insinuata që do përdoreshin për organizim të çfarëdo skenari për të destabilizuar, gjithnjë duke u koordinua me strukturat politike në Veri (Lista Serbe) dhe qeverinë në Beograd” shprehet politologu nga Mitrovica.

Kosovës do t’i bëhet presin nga faktori ndërkombëtar në mënyrë që të tërhiqet nga vendimi i marrë si dhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Mirëpo, politologu Hajrizi konsideron se qeveria Kurti nuk ka vepruar pa koordinim me miqtë perëndimor.

“Besoj që vendosja e kësaj mase reciprociteti është si rezultat i koordinimit paraprak me ambasada perëndimore, duke pare mënyrën e (mos)reagimit të tyre ndaj një vendimi aq madhor si ky”.

Kosova me të drejtë ka zbatuar marrëveshjen e arritur si proces i Dialogut që nga viti 2011. “Mos implementimi i kësaj marrëveshjeje është shtyrë për 1001 arsye me apo pa të drejtë, por ajo çfarë mbetët të shihet është se si po kanalizohet kjo në kuadër të kërkesave të Beogradit karshi proceseve që jemi duke kalua”.

Beogradi po tenton të inskenoj situata të paqena madje deri në kërcënim edhe për vet NATO-n thotë ai.

“Beogradi lëvizi forcat ushtarake dhe policore, kërcënoj edhe KFOR-in për të inskenuar situata drastike gjithnjë për të inskenuar situata drastike, gjithnjë për tu viktimizuar në raport me politikën e jashtme!”

3 Helikopter MI-35 të ushtrisë serbe kanë hyrë në territorin e Kosovës të premten e 24 shtatorit në Jarinje

Hajrizi konsideron se Kosova duhet të jetë vigjilente dhe mos të sillet me kryeneçësi “karshi nevojave të palëve ndërmjetësuese (BE&SHBA), por edhe ndaj vendimit të marrë në raport me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë”, përfundon ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore