Lajme

A është rikthyer “Zajednica” në tavolinë pas aksionit të fundit në Veri?


Billbordë të vendosur në Komunat veriore të Kosovës: Mirësevini në Asociacionin e Komunave serbe”

Formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, s’është zënë më në gojë nga Qeveria e Kosovës, ngase qëndrimi i kahershëm politik i Kryeministrit Albin Kurtit është se “nuk mund të ketë asociacion komunash mbi baza etnike”.

Këtë qëndrim, Kurti, në veçanti, e kishte ritheksuar pasi ish-ambasadori amerikan Philip Kossnett kishte thënë se “Kosova e ka për detyrë të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”.

Përfaqësuesi i Lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, përmes një deklarate zyrtare mbrëmjen e së mërkurës, bëri thirrje për de-eskalim të situatës në Veri, por nuk harroi të ritheksojë, por edhe t’i përgjigjet “pyetjes urgjente” të Vuçiç-it për ekzistencën e marrëveshjes për Asociacionin, se “të gjitha Marrëveshjet e arritura në Bruksel që nga 2011 të mbesin të vlefshme dhe të detyrueshme”.

Përfaqësuesi i Lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell

Borell bëri thirrje për respektimin dhe implementim “të të gjitha detyrimeve të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”.

Njëra nga këta marrëveshje sigurisht se është edhe formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, e cila filimisht ishte arritur në vitin 2013, dhe pastaj më 2015.

Serbia në anën e saj, refuzon të diskutojë gjë tjetër në raport me Kosovën pa u formuar dhe themeluar Asociacioni i Komunave Serbe, dhe e quan “bërthama e të gjitha marrëveshjeve tjera në Bruksel”. Pra, sipas autoriteteve të Serbisë, pa bërthamën e tyre, s’mund të ketë kurrëfarë marrëveshje mbështjellëse tjetër e cila mbahet për atë bërthamë.

Ndërkaq, edhe të enjten, u deklarua në mediat serbe se njëra nga kushtet e Serbisë për kthim në tavolinën e dialogut është pikërisht formimi i Asociacionit të Komunave.

Vuçiç pas mbledhjes emergjente të së martes të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë doli në konferencë të jashtëzakonshme për media dhe tha se “kërkojmë përgjigje urgjente nga BE-ja se a ekziston apo jo ende marrëveshja për Asociacionin” dhe se “heshtja e BE-së do të nënkuptojë qartazi se nuk ekziston”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Mirëpo, Bashkimi Evropian nuk heshti.

Serbët e Veriut, nxorën edhe Billbord “Mirësevini në Asociacionin e Komunave serbe”, si përgjigje ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit “të bazuar në Marrëveshjen e Brukselit për Lëvizje të Lirë”, duke e paraqitur kështu edhe Asociacionin “të bazuar në Marrëveshjet e Brukselit”.

Por, a bie në fakt faji për mos-themelimin e Asociacionit e Komunave me shumicë serbe mbi Kosovën?

Mos-themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, “nuk mund t’i atribuohet Kosovës si dështim”.

Sipas opinionistëve dhe analistëve në Kosovë, përmes parullave të tilla serbët përpiqen të krijojnë situata të reja duke u munduar të tërheqin vëmendje në veriun e Kosovës.

Për këtë “ngërç” të krijuar, ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, tani analist politik, Visar Ymeri, këtë çështje e konsideron “mjaft komplekse”.

Visar Ymeri, ish-Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje

“Këtu kemi të bëjmë me Marrëveshjen e vitit 2013 të ratifikuar në Kuvend dhe pastaj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Pra, statuti i këtij Asociacioni do të duhej t’i inkorporonte të dy këto dokumente. Me këtë nuk duket se është pajtuar Serbia. Kështu që mos-themelimi i Asociacionit nuk mund t’i atribuohet si dështim vetëm Kosovës”, është shprehur Ymeri për Albanian Post.

Siç thotë Ymeri, duket qartë se vendimi i Qeverisë së Kosovës që ta zbatojë reciprocitetin për targa me anë të forcave të specializuara të policisë “e ka ri-sjellë në vëmendje Veriun e Kosovës si problem politik”.

Dhe kjo “e ka reflektimin e vet në dialogun me Serbinë”.

Kur pyetet se a mund të tërhiqet Serbia nga të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të procesit të dialogut, gjë që ishte edhe kërcënimi i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas vendosjes së reciprocitetit, Ymeri ka theksuar se “Serbia nuk mundet aq lehtë e shpejtë ta braktisë atë”.

Ilustrim

“Nuk është e lehtë të tërhiqen nga Marrëveshjet as Serbia e as Kosova. Refuzimi i zbatimit të tyre apo zvarritja në zbatim varet nga hapësira politike që krijohet në BE. Por tërheqja formale do të nënkuptonte tjetër gjë. Procesi për normalizim të marrëdhënieve vazhdon të jetë kusht për rrugën e Serbisë drejt BE-së”, potencoi Ymeri.

Ndonëse për Ymerin, një prej problemeve jo të vogla aktuale me dialogun është kthimi në ri-diskutim i shumë marrëveshjeve të arritura, sipas tij, hovi deklarativ që i ishte dhënë procesit të dialogut si dialog për njohje gjatë viteve të fundit “duket se ka rënë në intensitet tash”.

“Ky paraqet problem të madh për Kosovën, sepse po zvarritet pa afat përfundimi i një procesi i cili po na e kidnapon një pjesë të rëndësishme të energjisë e kapaciteteve institucionale, pjesën më të madhe të debatit publik, por edhe po na shkakton ngecje e kokëçarje serioze në arenën ndërkombëtare”.

“Është në interes të Kosovës që sa më parë të përmbyllet ky proces dhe të përmbyllet me njohje”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Imer Mushkolaj, gazetar dhe opinionist në Kosovë, vendosjen e billbordit e ka e lidhur me një mënyrë të mos bindjes të qytetarëve serbë të Veriut prej institucioneve të Kosovës, duke e treguar edhe njëherë qëndrimin e tyre që e kanë vazhdimisht që nga përfundimi i luftës.

Imer Mushkolaj, gazetar

“Natyrisht se kjo ndodhë me porosinë e Beogradit dhe si presion që Kosova ta themelojë Asociacionin. Përmes këtyre parullave serbët përpiqen që të paktën vizuelisht të krijojnë një lloj situate të re dhe me këtë mënyrë t’ua sjellin ndërmend serbëve të tjerë në Kosovë se Prishtina nuk e ka përmbushë një marrëveshje të cilën e ka nënshkruar në Bruksel”, është shprehur Mushkolaj për AP.

Meqë, sipas tij, Serbia nuk i ka zbatuar plot marrëveshje të cilat i ka nënshkruar në Bruksel, Mushkolaj thotë se nuk sheh kurrfarë mundësie që Serbia të tërhiqet nga këto marrëveshje.

Kjo për shkak se siç thotë Mushkolaj, do të konsiderohej nga partnerët ndërkombëtarë dhe nga Bashkimi Evropian si “një kthim mbrapa” dhe kjo Serbisë “do të mund t’i kushtonte në rrugën e integrimit evropian”.

Sipas tij, ekziston adresa kryesore për zbatimin e marrëveshjeve dhe përdorimit të një gjuhe kërcënuese karshi Kosovës.

“Ajo adresë është Beogradi”.

Sepse, ideja që Serbia nuk i ka zbatuar disa nga marrëveshjet “duhet të jetë alarm për BE-në” për shkak se bëhet fjalë për marrëveshjet që janë nënshkruar qysh para pesë e më shumë viteve ndërkohë që vazhdimisht presioni i BE-së “ka qenë mbi Kosovën dhe asnjëherë mbi Serbinë”.

Çka kishte thënë Gjykata Kushtetuese për Asociacionin e Komunave Serbe?

Gjykata Kushtetuese marrëveshjen e 25 gushtit të vitit 2015 për Asociacionin e kishte shpallur si “jo tërësisht në pëpurthje me frymën e Kushtetuës, përkatësisht me disa nene që kanë të bëjnë me kapituj mbi barazinë para ligjit, të Drejtat dhe Liritë Themelore dhe kapitullin mbi të drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre”.

Pas nënshkrimit të këtij vendimi të GJK, ajo i ishte lënë në dorë Qeverisë së Kosovës që të themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe në bazë të parimeve të marrëveshjes për Asociacionin të 19 prillit të vitit 2013.

Çka ndodhi në Veri të vendit?

Në orët e hershme të mëngjesit të 20 shtatorit, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Speciale operative ishte vendosur në pikë kalimin kufitarë në mes të Kosovës dhe Serbisë, konkretisht në Jarinje të komunës së Leposaviçit, për të filluar reciprocitetin e targave.

“Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me targa të Republikës së Kosovës, nëse duan të qarkullojnë brenda vendit”, thuhej në vendimin e Qeverisë.

Aksioni në pikën kufitare të Jarinjes nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës

Aksioni i Policisë së Kosovës është pasuar me reagime të shumta si nga shtetasit serbë të cilët jetojnë në Kosovë ashtu edhe nga politikanët serbë.

E enjtja shënon ditën e katërt të protestimeve të serbeve në pikën kufitare që e lidh Kosovën me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore