Shqipëria

Vendimet e Qeverisë, nga rindërtimi te shpërblimi i fundvitit dhe sportistëve


Mesditën e 15 dhjetorit, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u morën disa vendime, duke nisur nga rindërtimi, te shpërblimi i fundvitit për pensionistët dhe një grupi të veçantë, si dhe sportistëve.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, njëkohësisht dhe zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, fill pas mbledhjes së Ministrave, bëri me dije se është miratuar një fond i ri për të shpejtuar procesin e rindërtimit.

“Janë akorduar rreth 3.2 miliardë lekë që bëjnë të mundur vazhdimin e rindërtimit”.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, njëkohësisht dhe zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj

Ahmetaj theksoi se buxheti i shtetit, me ndryshimet e veta dhe vendimit të dalë një javë më parë, ka shkuar në 35 miliardë lekë për rindërtimin.

Një vendim tjetër ishte ai i paketës së solidaritetit për dëmshpërblimet e fundvitit.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se nga kjo do të përfitojnë pensionistët, familjet që marrin ndihmë ekonomike dhe të gjithë personat që kujdesen për personat me aftësi ndryshe.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu

Ndërsa ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, deklaroi se fondi total i alokuar për këtë paketë është rreth 40 milionë dollarë.

Përkatësisht 3.5 miliardë lekë është paketa e miratuar për dëmshpërblimin e pensionistëve.

“Janë 668 mijë pensionistë që përfitojnë nga paketa dhe 400 milionë lekë sa u përket kategorive të tjera”, theksoi Ibrahimaj.

Manastirliu bëri me dije se janë 66 mijë familje që marrin ndihmë ekonomike dhe 72 mijë persona me sëmundje të ndryshme.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj

Gjatë ditës në Komisionin e Ligjeve, drejtoresha e Përgjithshme e Buxhetit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Mimoza Dhëmbi, bëri me dije se shpërblimi për pensionistët do të jetë 5 mijë lekë, ndërsa për familjet në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuara do të jetë 3 mijë lekë.

E fundit nga vendimet e Qeverisë ishte ajo e dëmshpërblimit të sportistëve elitarë – peshëngritësve.

Këtë e konfirmoi ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, e cila deklaroi se tanimë sportistët medialistë do të shpërblehen për çdo garë jo vetëm për dy, siç ka qenë më herët.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi

“Nga sot, të gjithë sportistët elitarë do të shpërblehen njësoj sipas rregullores ndërkombëtare”, theksoi Kushi në fjalën e saj.

Ndër të tjera, ajo tha se qëllimi i këtij vendimi është mbështetja dhe motivimi i sa më shumë i sportistëve për të ushtruar sportin.

“Edhe ata sportistë që e kanë përfituar statusin e nivelit të lartë të trajtohen sipas këtij vendimi. Do të thotë që Briken Calja do të vlerësohet si sportistët e tjerë botërorë, me këtë motivim do të na nderojnë”, e mbylli Kushi fjalën e saj.

Çështja e inceratorëve

Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë shqiptare, Ahmetaj, iu përgjigj pyetjes së gazetarëve lidhur me arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

Ai tha se, “përballja me drejtësinë është individuale, nuk është as kolektive, as politike”.

Në vijim të deklaratës për shtyp, pyetjes mbi përfundimin e kontratës mes qeverisë dhe inceneratorit të Elbasanit, numri dy i qeverisë shqiptare iu përgjigj se “ka një procedurë të përcaktuar ligjore për këto procedura”.

Ish-ministri i Mjedisit përfundoi në pranga të martën e 14 dhjetorit pas një hetimi të nisur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) mbi çështjen e përpunimit të mbetjeve.

Ish-deputeti akuzohej për shpërdorim detyre dhe korrupsion gjatë ushtrimit të detyrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore