Shqipëria

“Përballja me drejtësinë është individuale, nuk është as kolektive, as politike”


Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë shqiptare, zëvendës kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, iu përgjigj pyetjes së gazetarëve lidhur me arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, duke thënë se “përballja me drejtësinë është individuale, nuk është as kolektive, as politike”.

Ahmetaj doli para mediave për të prezantuar vendimet e fundit të qeverisë shqiptare që lidheshin me paketën e solidaritetit apo edhe pagesës së sportistëve elitarë.

Në vijim të deklaratës për shtyp, pyetjes mbi përfundimin e kontratës mes qeverisë dhe inceneratorit të Elbasanit, numri dy i qeverisë shqiptare iu përgjigj se “ka një procedurë të përcaktuar ligjore për këto procedura”.

Ndërtimi i situatës

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, përfundoi në pranga të martën e 14 dhjetorit pas një hetimi të nisur mbi çështjen e përpunimit të mbetjeve.

Ish-deputeti akuzohej për shpërdorim detyre dhe korrupsion gjatë ushtrimit të detyrës.

Vetë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), zbardhi aktakuzën e plotë ndaj Kokës, përmes një njoftimi për shtyp.

Objekti i hetimeve, lidhet me procedurat e kryera për “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”. E përfshirë këtu është edhe një kompani pjesë e garës.

Gjatë hetimit, janë arritur tre konkluzione mbi konstatimin e disa veprave penale.

Së pari, nga hetimet ka rezultuar se në procedurën e dhënies së konçensionit dhe lidhjet e kontratës, nuk janë kryet të plota veprimet përgatitore. Kështu, duke qenë në kundërshtim me nenin 16 të ligjit nr. 125/2013 mbi “Konçensionet dhe partneritet publik privat”, njohur ndryshe si PPP.

Së dyti, është provuar gjithashtu fakti se nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e konçensionit.

Në rastin konkret, është ndjekur një procedurë e ndryshme nga ato të parashikuara në ligj.

Këto veprime, janë në kundërshti ligjore sipas arsyetimit nga SPAK.

Koka, në cilësinë e titullarit, ka qenë personi përgjegjës për organizimin dhe realizmin në përputhje me ligjin të procedurave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore