Shqipëria

Arrestimi i Kokës – Zbardhet akuza e plotë nga SPAK


Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka rënë në pranga të martën e 14 dhjetorit pas një hetimi të nisur mbi çështjen e përpunimit të mbetjeve, ku ish-deputeti akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion gjatë ushtrimit të detyrës.

Vetë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka zbardhur aktakuzën e plotë ndaj Kokës, nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Sipas këtij njoftimi, hetimet kanë filluar pas dy kallëzimeve penale nga dy forca të mëdha politike në vend.

E para, lidhet me kallëzimin nga Partia Demokratike dhe i dyti, nga Lëvizja Socialiste për Integirm.

Këto kallëzimeve janë bërë fillimisht në vitin 2020 nga PD-ja, në lidhje me impiantet e përpunimit të mbetjeve.

Më pas, do të ishte LSI-ja, e cila më 21 tetor 2021, do të dërgonte në SPAK çështjen Koka. Ky i fundit, ka qenë pjesë e socialistëve të qendrës gjatë kohës kur ka mbajtur postin e kreut të dikasterit të Mjedisit, në vitet 2013-2017, gjatë Qeverisë së parë Rama.

Objekti i hetimeve, lidhet me procedurat e kryera për “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”. E përfshirë këtu është edhe një kompani pjesë e garës.

Gjatë hetimi, janë arritur tre konkluzione mbi konstatimin e disa veprave penale.

Së pari, nga hetimet ka rezultuar se në procedurën e dhënies së konçensionit dhe lidhjet e kontratës, nuk janë kryet të plota veprimet përgatitore. Kështu, duke qenë në kundërshtim me nenin 16 të ligjit nr. 125/2013 mbi “Konçensionet dhe partneritet publik privat”, njohur ndryshe si PPP.

Së dyti, është provuar gjithashtu fakti se nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e konçensionit.

Në rastin konkret, është ndjekur një procedurë e ndryshme nga ato të parashikuara në ligj.

Këto veprime, janë në kundërshti ligjore sipas arsyetimit nga SPAK.

Koka, në cilësinë e titullarit, ka qenë personi përgjegjës për organizimin dhe realizmin në përputhje me ligjin të procedurave.

Pika e tretë dhe e fundit, lidhet me dy kompani, pjesë e tenderimit.

Sipas njoftimit, Koka ka kërkuar dhe më pas ka pranuar nga dy shoqëritë tregtare, përfitime të parregullta financiare. Një skemë fiktive për kryerjen e punimeve në shoqëritë konçensionare, është përdorur.

Pikërisht bazuar në këto argumente, SPAK ka caktuar tre masa arresti.

I pari ka shkuar për vetë ish-ministrin Koka. I dyti, për shtetasin K.Z. dhe i treti për shtetasin S.G.

Ndaj kompanive sakaq, ka një sekuestro preventive të pasurive. Po ashtu, 19% e aksioneve të Kokës në një shoqëri tregtare janë në sekuestro preventive.

Një paralajmërim i kreut të SPAK, Arben Krajës, ka ardhur që më 4 gusht 2021, kur ai tha se “ka ardhur koha që të ndëshkohen personat e pandëshkueshëm”.

Pikërisht këtë vendim të SPAK dhe zbatim të tijin, e kanë përshëndetur faktorët diplomatikë në Shqipëri, si edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha.

“Sot është dita të kujtojmë se ishte PD, që në shkurt të 2018 nisi procesin e denoncimeve për inceneratorët, për 400 milionë euro që u janë zhvatur qytetarëve shqiptarë. Arrestimi i ministrit të Ramës provon se akuzat tona kanë qenë të drejta, se denoncimet tona kanë qenë të bazuara”, tha Basha.

Ndërsa, sipas njoftimit të SPAK, hetimet vijojnë për funksionarë të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore