Shqipëria

Veliu, falënderon strukturat policore për zbardhjen e vrasjes së Sofias


Drejtori i Përgjithshëm u Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gjatë ditës së martë, më 16 mars, falënderoi gjithë përfaqësuesit e strukturave për zbardhjen e plotë të vrasjes së biznesmenit Behar Sofia.

“E ndjej detyrim moral, por edhe përgjegjësi, që si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit t’iu falënderoj dhe t’iu inkurajoj për punën e jashtëzakonshme profesionale. Për angazhimin fizik, pasi për 15 ditë rresht keni punuar minimalisht 16 deri në 20 orë në ditë”.

Sipas Veliut, zbardhja e çdo ngjarjeje kriminale, çon në parandalimin e ngjarjeve të tjera dhe rrit besimin e qytetarëve tëk policia dhe strukturat mbrojtëse të shtetit.

“Besimi i qytetarëve te policia, që është shumë i nevojshëm në përmbushjen sa më mirë të detyrave funksionale gjatë punës sonë”.

Po ashtu Veliu falënderoi punën dhe ndihmën në kohë rekord të strukturave policore të shtetit fqinj, Mali i Zi.

“Në rast se nuk do të kishim gjetur gatishmërinë dhe dashamirësinë e kolegëve tanë në Malin e Zi, nuk do të kishim bërë dot të mundur kapjen e autorit kryesor të ngjarjes, i cili fshihej në Malin e Zi”.

Kujtojmë se vrasësi i Behar Sofias u arrit të kapej në flagrancë më 13 mars.

Sofia u vra mëngjesin e 15 shkurtit pranë piramidës, Tiranë.

Kush ishte Behar Sofia?

Behar Sofia u ekzekutua mëngjesin e 25 shkurtit, pranë Piramidës Tiranë

Sofia ishte me origjinë nga Berati, pronar i disa bizneseve në Tiranë, të cilat së fundi po kalonin në hetimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Pasi bizneseve të tij në Tiranë iu ishte vënë disa herë lëndë eksplozive.

Ai është arrestuar në vitin 1998 në bashkëpunim me shtetasin turk Abdulselam Turgut, nën akuzën për trafik troge nga Turqia në Shqipëri.

Sofia konsiderohej si një nga krerët e grupit të organizatës kriminale në Shqipëri, për trafikim të lëndëve narkotike.

Behar Sofia ose Seferi kishte jetuar për një kohë të gjatë në Turqi.

Në atentatin e bërë më 25 shkurt ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Grupi Turgut

Turgut u prangos më 18 shkurt të vitit 2011. Një arrestim ky i finalizuar për llogari të shtetit gjerman.

Ai akuzohej nga autoritetet gjermane për trafikimin e një ton droge.

Turgut, i cili veç akuzave për trafik ndërkombëtar droge ka lidhje edhe me krimin e organizuar në Shqipëri.

Gjithashtu emri i turkut lakohet edhe për përfshirje në organizatë terroriste.

Ai akuzohet për planin e muajit mars në vitin 2018, për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK).

Plan i cili u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit.

Emri i tij është i lakuar dhe në ngjarjen e gushtit të vitit 2009, ku në Durrës u vranë 4 policë gjatë operacionit për të arrestuar Dritan Dajtin.

Abdulselam Turgut është i shpallur në kërkim nga shtete si Rumania, Austria, Holanda dhe Italia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore