Shqipëria

Zbardhet vrasja e Behar Sofias


Policia e Tiranës zbardh vrasjen e biznesmenit Behar Sofia. Operacioni i quajtur “Piramida”, ka arrestuar një grup vrasësish me pagesë, të cilët kishin planifikuar vrasjen dhe në bashkëpunim kanë kryer ekzekutimin e tij.

Bëhet fjalë për shtetasit Ernejt Shyti, 24 vjeç, i lindur dhe banues në Tiranë, Skënder Vathi, 54 vjeç, Leonar Xhixha, 30 vjeç, lindur në Arrameras, Fushë Krujë dhe banues në Tiranë, dhe Xhuljano Visha, 28 vjeç.

Policia lajmëron se Shyti, i cili ka pasur rolin e ekzekutorit, pas ngjarjes është larguar në drejtim të Malit të Zi.

Kapja e të riut është bërë e mundur në bashkëpunim me policinë e Malit të Zi.

Në njoftim thuhet se ai është kapur në pikën kufitare të Hanit të Hotit, nga dy policitë e shtetëve fqinjë.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri–tjetrin, kanë organizuar vrasjen e Sofias. Ata kanë siguruar mjetet, armën, si dhe kanë mbajtur nën mbikëqyrje lëvizjet e viktimës për disa kohë, deri në momentin e ekzekutimit të tij.

Në fazën operacionale nga grupi hetimor janë sekuestruar prova të shumta materiale si automjete, aparate telefonike, karta sim etj.

Analiza e këtyre provave hap perspektivë për identifikimin edhe të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë krim.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vazhdon me intensitet puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësjaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se është e vendosur dhe e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në vend. Gjithashtu fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

E kaluara e vrasësve të Sofias

Sipas informacioneve paraprake, shtetasi Xhixha, kishte një të kaluar kriminale. Ai ishte dënuar më përpara për veprën penale “Vrasje në paramendim”, e ngelur në tentativë.

Ndërsa shtetasi Visha, kishte qenë i dënuar më parë me verpën penale “Vjedhja”.

Ai nuk ishte një emër i panjohur për policinë.

Kush ishte Behar Sofia?

Behar Sofia u ekzekutua mëngjesin e 25 shkurtit, pranë Piramidës Tiranë

Sofia ishte me origjinë nga Berati, pronar i disa bizneseve në Tiranë, të cilat së fundi po kalonin në hetimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Pasi bizneseve të tij në Tiranë iu ishte vënë disa herë lëndë eksplozive.

Ai është arrestuar në vitin 1998 në bashkëpunim me shtetasin turk Abdulselam Turgut, nën akuzën për trafik troge nga Turqia në Shqipëri.

Sofia konsiderohej si një nga krerët e grupit të organizatës kriminale në Shqipëri, për trafikim të lëndëve narkotike.

Behar Sofia ose Seferi kishte jetuar për një kohë të gjatë në Turqi.

Në atentatin e bërë më 25 shkurt ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Grupi Turgut

Turgut u prangos më 18 shkurt të vitit 2011. Një arrestim ky i finalizuar për llogari të shtetit gjerman.

Ai akuzohej nga autoritetet gjermane për trafikimin e një ton droge.

Turgut, i cili veç akuzave për trafik ndërkombëtar droge ka lidhje edhe me krimin e organizuar në Shqipëri.

Gjithashtu emri i turkut lakohet edhe për përfshirje në organizatë terroriste.

Ai akuzohet për planin e muajit mars në vitin 2018, për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK).

Plan i cili u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit.

Emri i tij është i lakuar dhe në ngjarjen e gushtit të vitit 2009, ku në Durrës u vranë 4 policë gjatë operacionit për të arrestuar Dritan Dajtin.

Abdulselam Turgut është i shpallur në kërkim nga shtete si Rumania, Austria, Holanda dhe Italia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore