Film

Vdes producenti i Netflix


Drejtori dhe themeluesi i kompanisë së video-lojërave “Yoozoo”, si dhe producent ekzekutiv i serialit të Netflix, “Three body problem” , ka vdekur sot në spital si pasojë e një helmimi.

Producenti ka qenë i shtruar në spital që prej datës 16 dhjetor. Policët e Shangait që janë duke investiguar vdekjen dyshojnë të jetë helmuar nga një prej kolegëve të tij të “Yoozoo”, Xu Yao.

Sipas raportuesve të zonës, helmimit të Lin Qi-së mendohet t’i ketë paraprirë një mosmarrëveshje mes drejtuesve të kompanisë, shkaqet e së cilës nuk janë bërë akoma me dije.

Lin ishte 39 vjeç. Ai themeloi “Yoozoo” në vitin 2009 dhe nën drejtimin e tij kompania arriti tranzicionin e suksesshëm të video lojërave në ato telefonike.

“I jepen respektet më të larta kryetarit për kontributin e tij në firmë. Drejtuesit dhe punonjësit dërgojnë ngushëllimet e tyre të sinqerta familjes”, u shprehën ata në një deklaratë.

Lin Qi ishte producent ekzekutiv në serialin e ardhshëm të Netfilx-it “Three Body Problem”, së bashku me regjizorët e “Game of Thrones”, David Benioff dhe Dan Weiss.

Në fillim të këtij viti, u ngritën polemika të ndryshme rreth transmetimit të serialit.

Shkak ishin komentet e shpeshta të Lin-it në mbrojtje të qeverisë Kineze rreth burgimit dhe persekutimit të Myslymanëve Ojgur.

Në shtator, pesë senatorë amerikanë i dërguan letër Netflix-it duke kritikuar transmetimin e serialit që shoqërohej me emrin e Lin-it.

Netflix u përgjigj se nuk pajtohej aspak me komentet e producentit.

“Zoti Lin është një qytetar kinez që jeton në Kinë. Ai është autori i librave, jo krijuesi i kësaj serie të Netflix-it”, ka shkruar Netflix./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore